Amerikanët i morën Sali Berishës Lulzim Bashën, lojtarin e tij në PD. Kjo ishte goditje e rëndë për Sali Berishën. Mirëpo marrja e Bashës do të duket diçka krejt e vogël në krahasim me çfarë tragjedie do t’i ndodhë Sali Berishës kur amerikanët t’ia marrin Edi Ramën. Po ia more Sali Berishës Edi Ramën, atë e fundos përfundimisht dhe pa kthim.
Sali Berisha nongrata ka nevojë të mbrohet me shtet, ka nevojë ta ketë shtetin shqiptar pro vetes.
Deri sot, shteti shqiptar nuk ka ndërmarrë asnjë veprim kundër Sali Berishës, as duke dërguar letërporosi jashtë Shqipërisë, as duke hetuar dhe goditur gangsterët e tij, as duke falimentuar bizneset e klanit Berisha.
Deri sot kanë pasur totalisht mbrojtjen e shtetit. Ketë mbrojtje ua ka mundësuar dhe siguruar Edi Rama, sepse vetëm ai ka pushtet për t’i mbrojtur. Edi Ramës i duhet Sali Berisha në opozitë sepse pakti i errët me Berishën është arritur prej kohësh. Mafiet përkatëse të Ramës e të Berishës, kuptohen dhe bashkëpunojnë shumë mirë, nuk cënojnë njëra-tjetrën. Kjo me qëllim për të ruajtur bashkëpunimin afatgjatë në fushën e parasë dhe në kapjen e shtetit.
Nga ana tjetër, Sali Berishës i nevojitet Edi Rama në pushtet. Po të jetë dikush tjetër kryeministër, Sali Berishës i lindin pasiguri, sepse asnjëherë nuk i dihet si rezulton tjetri, mund të mos i garantojë mbrojtje nongratas.
Në ketë moment Sali Berishës i duhet Edi Rama, sepse Edi Rama duke u dobësuar ndërkombëtarisht, ka nevojë që të mos ketë opozitë të mbështetur nga amerikanët, që amerikanët të mos kenë nëpërmjet kujt ta godasin.
Nëse do të ketë opozitë të fortë pro-amerikane, SHBA e godasin Ramën përmes asaj opozite. Prandaj interesi i Ramës është që opozita të jetë anti-amerikane që Amerika të mos mundet ta përdorë kundër tij. Për ketë llogari i leverdis opozita “Sali Berisha”, nongrata në SHBA e Britani dhe e diskretituar në opinionin publik shqiptar.
Për ketë interes të përbashkët Rama-Berisha, Sali Berisha bllokon foltoren e parlamentit që të shkatërrohet seanca e të mos ketë mundësi të zhvillohet interpelanca me Edi Ramën për çështjen “McGonigal”. Nëse nuk do të prishnin seancën, do ndihej mungesa e Ramës, refuzimi i tij për të shkuar në parlament do ishte në qendër të vëmendjes. Ramën e ndihmon Sali Berisha duke zhvendosur vëmendjen.