Policia e Shtetit vijon aksionin e koduar ‘Fijet’, në disa qarqe të vendit, ku janë sekuestruar dhjetëra kamera, të cilat janë vendosur paligjshmërisht.
Burime zyrtare bënë me dije se operacioni po vijon në Shkodër, Lezhë dhe Dibër. Konkretisht në Shkodër janë sekuestruar sërish 20 kamera, (në total 79 kamera), në Lezhë 9 dhe në qarkun Dibër 5.
NJOFTIMI I POLICISE
Vijon zbatimi i planit operacional policor, mbarëkombëtar, të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Gjatë 24 orëve të fundit, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar dhjetëra kamera të tjera që ishin vendosur në kundërshtim me ligjin, në disa qarqe të vendit, si dhe janë iniciuar hetime të thelluara për disa shtetas, për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.
-Në qarkun Shkodër, në vijim të fazës së dytë, Policia ka çmontuar 20 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin. Deri tani, në këtë qark janë sekuestruar në total 79 kamera.
-Në qarkun Lezhë, gjatë fazës së njëmbëdhjetë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 9 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në Mirditë dhe në Zejmen, Lezhë. Për 4 kamerat e instaluara në Zejmen, Lezhë, është inicuar hetimi për 1 shtetase.
-Në qarkun Dibër, në vijim të fazës së shtatë të këtij plani operacional, në qytetin e Peshkopisë, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 5 kamera. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 3 shtetas. Deri tani, në këtë qark, janë çmontuar dhe sekuestruar në total 6 kamera dhe janë iniciuar hetime të thelluara për 4 shtetas.
Vijon puna hetimore, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit të kamerave të vendosura në kundërshtim me ligjin.