Edi Rama thërret në ndihmë amendamentin “Sali Berisha”

Kushtetuta e SHBA në amendamentin e saj të pestë i jep të drejtën çdo qytetari që të mos shprehet në rast se përgjigja rrezikon ta inkriminojë atë në një situatë të caktuar. Kjo e drejtë i rezervohet çdo qytetari kur ai del përpara një jurie të madhe dhe nuk është i pandehur përpara trupit gjykues.

Rasti McGonigal e ka vendosur qartësisht në vështirësi Edi Ramën dhe njerëzit përrreth tij. Mjafton të shihje fytyrën e vrenjtur të shumicës së socialistëve të cilët përpiqeshin me të gjitha mënyrat që të komunikonin mërzi dhe trishtim në raport me atë që po ndodhte në kuvendin e Shqipërisë. Partia Demokratike kërkoi një interpelancë dhe deputeti Bardhi shpjegoi shumë mirë se në të vërtetë Edi Rama duhet të përgjigjet pasi çështja ka të bëjë specifikisht me të.

Fatkeqësisht për shqiptarët, ndonëse Edi Rama nuk iu përgjigj në interpelancë në ndihmë atij i erdhi amendamenti Sali Berisha. Ai e aplikoi këtë amendament duke rënduar edhe më tej pozitat e opozitës dhe duke i bishtnuar një debati të shëndetshëm politik. Po cili është amendamenti Sali Berisha?

Në majin 2021, Sali Berisha u shpall nongrata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai akuzoi këtë jo si një vendim të SHBA por si një vendim të ndërmarrë nga George Soros. E gjithë retorika e tij bazohej në akuza qesharake ndaj sekretarit Blinken ndërkohë që vite më parë SHBA kishte shpallur nongrata edhe Tom Doshin me Vangjush Dakon. Përballë kësaj situate të çuditshme, Berisha dhe lakejtë e tij mediatike u përpoqën që ta krahasonin Berishën me Dodikun, pra aludonin që edhe Dodikut ia kishte bërë Soros.

Sot, lakejtë e Berishës tundin letrat e FBI dhe të Departamentit të Drejtësisë që ka akuzuar McGonigal dhe ka sqaruar edhe përfshirjen e Ramës në këtë aferë korruptive. Duke evidentuar problemin moral të Sali Berishës dhe lakejve të tij ndaj SHBA, amendamenti që përdor Rama është i lehtë për t’u kuptuar dhe padyshim për t’u përdorur.

Së dyti, Sali Berisha e ka të qartë se djali i tij nuk do ta vizitojë veç një herë derën e SPAK. Ai e di që rreth tij po sorollatet një problem i madh dhe i patjetërsueshëm. Prandaj ka vendosur që të sulmojë SPAK dhe ta shpallë atë të pavlefshëm. Ai e di që SPAK nuk është nën drejtimin e Edi Ramës por të Amerikës, ndjehet i frikësuar dhe përpiqet që ta deligjitimojë. Kjo, i vjen në ndihmë Edi Ramës që sot ka një çështje në emër të tij në Prokurorinë Speciale anti Korrupsion, deligjitimimi i Berishës i duhet Ramës për të zhvlerësuar hetimin e SPAK.

Së treti, Doktor Berisha po jep shembullin absolut se si një protestë e thërritur ndërsa çështjet në SPAK valojnë dhe ai është nën hetim mund të përdoret për intimidim ndaj organit të akuzës. Sikundër por teston se sa mundet një politikan i diskretituar nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar të ketë sukses në elektorat. Kjo Edi Ramës i intereson, pasi nëse Berisha del i suksesshëm edhe amendamenti Berisha i përdorur prej Ramës do të dalë i tillë.

Për të tre këto arsye, kryeministri ka zgjedhur të përçojë mesazhin e heshtjes duke u mbrojtur me amendamentin Berisha. Por askush nuk e ka të sigurtë se ai do të mund të shpëtojë veten dhe të tjerët përmes këtij amendamenti, pasi mjafton të bie guri i parë i dominosë së tranzicionit për të rënë të gjithë gurët e tjerë.

Latest articles

Related articles