Përballja e parë me dixhitalizimin mbart rreziqe, por avantazhet janë më të mëdha

Ervis Iljazaj

Sulmet kibernetike ndaj qeverisë shqiptare të kohëve të fundit , të cilat vijnë nga drejtime dhe qëllime të ndryshme, kanë sjellë në vëmëndje të debatit publik reformat e dixhitalizmit të shërbimeve për qytetarët dhe rreziqet që ato mbartin për privatësinë dhe qeverinë shqiptare. Në fakt ky është një debat që ka ardhur vonë në shoqërinë dhe opinionin publik shqiptar, pasi dixhitalizmi si proces ka mbërritur vonë në Shqipëri. Ky është një debat që shoqëritë e zhvilluara e kanë bërë dekada më përpara.

Si shumë risi, aq me tepër kur bëhet fjalë për përdorimin e teknolgjisë në shërbime, mbart rreziqet e veta në fazat e para. Mjafton këtu të përmendim rastin e Estonisë, një nga vëndet e cila ka aplikuar nga të parat dixhitalizmin e shërbimve. Në vitin 2007 Estonia, pësoi një sulm kibernetik nga Rusia, gjë e cila solli pasoja të mëdha në shoqërinë estonese pasi konsiderohet një nga tre vëndet më të dixhitalizuara të botës. Mirëpo në asnjë moment qeveria estoneze nuk mendoi të hiqte dorë nga ky proces. Përkundrazi, vashdoi në rrugën e saj duke rritur investimet në sigurinë kibernetike dhe duke e kthyer sulmin ndaj saj në një përvojë për të përmisuar shërbimet dixhitale dhe duke rritur sigurinë. Sot që flasim, Estonia shpenzon diku te 100 milion euro në një vit për funksionimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve. Investon rreth 44 milionë euro në një vit për rritjen e sigurisë kibernetike, ndërsa në Shqipëri (një vend me popullsi më të madhe se Estonia) nga të dhënat që kemi për sigurinë kibernetike janë shpenzuar 12 milionë euro, e jo për një vit, por përgjatw 9 viteve të fundit.

Pse duhet investuar si Estonia? Për një arsye shumë të thjesht. Përfitimet teknologjike janë më të mëdha se kostot për të mirëmbajtur këto shërbime.

Në këtë kuptim, edhe Shqipëria si shumë vënde të tjera nuk mund t’i shpëtonte sulmeve kibernetike. Kush mendon të kundërtën thjesht spekulon dhe nuk ka asnjë dijeni se në cilat faza kanë kaluar shtete të ndryshme në proceset e dixhitalizimit të shërbimve. Prandaj i gjithë debati në Shqipëri duhet fokusuar se si të rrisimi sigurinë kibernetike duke investuar për të dhe jo në debate politike duke u munduar për të gjetur fajtorë aty ku nuk ka. Ky është një proces shumë sensibël dhe i vështirë drejt të cilit Shqipëria nuk mund të heqë dorë, pasi e ardhmja i përket kësaj rruge. Në këtë drejtim lipset kontributi i të gjithëve, lipset një debat i gjerë dhe i i kujdesshëm pa ngjyra politike.

Nëse ka ndonjë notë pozitive kjo qeveri në 10 vite, padyshim që kjo ka të bëjë me shërbimet qeveritare në të gjitha sektorët. Dhe kjo është një përvojë personale si përvoja e shumë qytetarëve të tjerë.

Sot, në krahasim me 10 vite më parë mund të mbarosh punë shumë herë më shpejt për çdo shërbim në administratën publike, pa qenë nevoja të takosh një njëri, pa qenë nevoja te futësh një mik apo të gjesh mënyra të tjera informale. Dhe ky përmisim vjen falë dixhitalizmit të sherbimeve, proces i cili menaxhohet nga AKSHI ( Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit).

Këto nota pozitive për Shqipërinë në drejtim të shërbimve dixhitale kanë ardhur edhe nga raporte të rëndësishme ndërkombëtare, ndoshta nga të vetmet nota pozitive në raport me qeveritë e rajonit, si Komisioni Europian për sa i përket shërbimve dixhitale apo nga progres raporti i Bashkimit Europian i cili vlerëson shërbimet on line të realizuara në një kohë të shpejtë.

Dixhitalizmi i shërbimeve jo vetëm që ka një efekt pozitiv në ekonomi, por mbi të gjithë ka një efekt dhe demokratizues për shoqërinë në tërësi pasi rrit pjesmarrjen dhe gjithë përfshirjen në procese të ndryshme të politikbërjes nëse përdoret në mnëyrën e duhur.

Megjithëse AKSHI ka ndërmarrë disa hapa për të rritur sigurinë si përshëmbull bashkëpunimi me Microsoft, kjo gjë ende nuk mjafton. Për të rritur sigurinë kibernetike kërkohet investime edhe më të mëdha dhe një bashkëpunim i të gjitha insitucioneve qeveritare dhe partnerë teknologjik. Vetëm AKSHI nuk mjafton për të rritur sigurinë kibernetike. Ky është një proces që sigurisht kushton, por është një kosto që qeveria shqiptare nuk mund të heqe dorë pasi avantazhet që sjellë janë shumë herë më të mëdha për shoqërinë shqiptare. Shqipëria vashdon të shpenzojë ende një shifër shumë të vogël për sigurinë kibernetike në krahasim më vendet e tjera të zhvilluara.

Pra, rruga që duhet ndjekur nuk është heqja dorë nga dixhitalizmi i shërbimeve për shkak të rreziqeve që mbart, por rritja e sigurisë kibernetike dhe investimeve për të. Në ditët e sotme nuk mund të konceptohen shërbime efikase pa përdorimin e teknologjisë.

Nuk ka dyshim që ka një qasje tjetër, sidomos në moshat e reja në raport me teknologjinë. Në këtë kuptim për të rritur sigurinë kibernetike të shërbimeve ka nevojë për një edukim dixhital që në vëndet e zhvilluara është futur si kurrikul në të gjitha fazat e arsimit paraunivesitar. Një gjë e tillë ka filluar përmes krijimit të Smart Labeve, në 100 shkolla të vendit, përfshirjes së programeve TIK në kurikilat e klasave të para, projekte këto që do të shtrihen edhe në shkollat e tjera, por jemi ende në fazat e para. Edukimi dhe etika dixhitale është një gjë e cila duhet futur në mentalitetin dhe kulturën e gjerë të shoqërisë. Në të kundërtën çdo përpjekje për dixhitalizmin e shërbimve do të shkojë dëm.

Për të gjitha këto arsye, debati nëse dixhitalizmi i shërbimve dhe përdorimi i teknologjisë midis avantazhave dhe rreziqeve që ai mbart do të vashdojë të jetë ende i ndezur, por heqja dorë për shkak të rreziqeve është miopi. Ajo që duhet, është thjesht një kulturë dhe një qasje tjetër e cila garanton liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe sigurinë kombëtare, qoftë edhe me një kosto financiare të lartë, pasi është një proces i pkthyeshëm. Në këtë drejtim, mund të thuhet se përpjkejet e qeverisë dhe inistucioneve që drejtojnë proceset e digjitalizimit në vend, janë për t’u mbështetur dhe jo për tu kritikuar apriori

Latest articles

Related articles