Shumë emra ministrash, deputetësh dhe politikanë të rëndësishëm po qarkullojnë në media se janë takuar me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së në New York, Charles McGonigal, i cili u arrestua dhe mes të tjerash akuzohet dhe se ka marrë qindra mijëra euro nga një punonjës i sigurimit në Shqipëri në vitin 2017.
Madje për disa kanë dalë edhe fotot si provë dhe disa të tjerë e kanë pranuar edhe vetë. Por, gjatë një interviste në Vizion Plus, ish-deputeti i PD-së Azgan Haklaj ka zbuluar disa emra të rinj që kanë zhvilluar takim me Charles McGonigal. Dy prej tyre janë edhe Ilir Meta apo Arben Ahmetaj.
Sipas Haklajt, ish-presidenti Ilir Meta ka vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke qenë me McGonigal.
“Ai nuk është takuar vetëm me Taulant Ballën, ai është takuar edhe me Ilir Metën. Madje Ilir Meta ka vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke qenë me McGonigal. Ai është takuar me Mimi Kodhelin, me Gramoz Ruçin, me Damian Gjiknurin, me “tigrin” Arben Ahmetajn, është takuar me një sërë ministrash, deputetësh të Rilindjes. Është takuar dhe me pjesëtarë të tjerë që do të dalin hap pas hapi. Nga Partia Demokratike zyrtare nuk ka patur asnjë takim. Unë po të kisha dashur, e kisha takuar zotin McGonigol dhe nuk më ka interesuar. Veprimtaria e tij, sipas dijenisë time, kur ishte zyrtari i lartë i FBI-së, nuk ishte dakord me ambasadën e SHBA-ve. Nuk kemi asnjë aktivitet publik ku ambasada është me zotin McGonigol. McGonigol është shtrirë në Kosovë, është shtrirë deri në Bosnjë, ka pikë kontakti Agron Nezën, ka pikë kontakti Dorian Duçkën. Skandali i gjithë këtij grupi, me në krye Kryeministrin ka qenë një komplot kundër Partisë Demokratike, një kryqëzatë, një blasfemi kundër PD-së dhe një kryqëzatë kundër Lulzim Bashës, sepse veprimtaria fillon në vitin 2017. Ai është shfaqur në 2007 dhe nga viti 2017 deri në vitin 2023, dhe është një veprimtari 6 vjeçare.” -deklaroi ai.