Koncesionit të pullave fiskale i përfundon kontrata 10-vjeçare më data 6 shkurt të këtij viti. Komuniteti i biznesit loboi dhe shpresoi që kontrata të mos zgjatej më tej, duke argumentuar me kostot e larta që ka paguar ndër vite.
Por, të gjitha bizneset prodhuese, eksportuese dhe importuese do t’u duhet të presin edhe ca kohë që të çlirohen nga tarifa e majme që paguajnë. Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit të saj kontratën për zgjatjen e koncesionit.
Vendimi nuk është botuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, por projektligji është gati dhe mund të dorëzohet në Kuvend që këtë të enjte për miratim.
Burimet pohojnë se zgjatja e kontratës është vulosur nga Ministria e Financave. Ajo që nuk dihet ende se përsa vite do të jepet shtesë. Varianti më i mundshëm është edhe për pesë vjet.
Në arsyetimin e dhënë për zgjatjen e kontratës, burimet thonë se citohet ‘puna e mirë që është bërë me këtë koncesion’, ndërsa arsyeja e vërtetë e zgjatjes së kontratës është mospërfshirja e plotë e pullave fiskale të barnave sic parashikohej në kontratën që ka hyrë në fuqi në 2013-n.
Koncesioni i pullave fiskale iu dha dhjetë vite më parë kompanisë “SICPA Security Solutions Albania”, sh.p.k. Bizneset kanë akuzuar për tarifa që shkojnë deri në 10 herë më të larta se ato të Bashkimit Europian.
Më konkretisht, vetëm për pajisjen me pulla fiskale, bizneset shqiptare përllogariten se kanë paguar në dhjetë vite 65-75 milionë euro. Pagesat variojnë nga lloji i biznesit, por sa më shumë produkte të akcizës të tregtojë një biznes, aq më e lartë edhe fatura që paguan.
Por, mesatarisht një biznes i madh në Shqipëri paguan 1 deri në 2 milionë euro në vit për pullat fiskale, ndërsa në vendet e BE-së, shifra shkon nga 150 deri në 200 mijë euro.