Policia e Tiranës i bashkohet drejtorive të tjera në qarqe që kanë nisur operacionin “Fijet”, për çmontimin e kamerave spiune në rrugët dhe vendet e tjera publike. Operacioni është iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme dhe është shtrirë në disa qarqe.
Këtë të hënë, operacioni po zhvillohet në Tiranë dhe efektivët kanë nisur heqjen e kamerave të vendosura pa leje në zonën e “Ali Demit”. Kamera e parë ishte montuar në një shtyllë të energjisë elektrike, kurse e dyta pak metra më tej në hyrjen e një ndërtese.
Siç ka njoftuar më herët Policia e Shtetit, këto kamera janë vendosur pa lejen përkatëse nga kontigjenti kriminal për të monitoruar lëvizjet e saj, por dhe ato të kundërshtarëve.
Fillimisht, ky operacion ka nisur në Shkodër, ku janë çmontuar dhjetëra pajisje, kryesisht në rrugët dhe sheshet publike pranë lagjeve kur banojnë disa prej eksponentëve të krimit. Më pas, ka vijuar në Durrës, Vlorë, Fier, Korçë dhe Pogradec.