Kriza e vazhdueshme politike në Malin e Zi e vë në rrezik pranimin e vendit në BE. Negociatat mund të ngrihen nëse deri në fund të janarit nuk zgjidhet mosmarrëveshja për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Paralajmërimi i fundit erdhi nga ministrja e jashtme sllovene Tanja Fajon, e cila tha se zgjedhjet e ardhshme të marsit në Malin e Zi nuk mund të zhvillohen pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale. “Para se të vinte në pushtet kryeministri Dritan Abazovic, Mali i Zi ishte lider në procesin e negociatave me BE-në në rajon. Tani, më pak se një vit në qeverisjen e tij, ne jemi të kërcënuar me ngecje të negociatave. Ne kemi një qeveri që është nën ndikimin e drejtpërdrejtë negativ të Beogradit dhe gjithashtu drejtpërdrejt nën ndikimin e Moskës. Qeveria nuk bëri reformat e nevojshme, as nuk përgatiti institucionet dhe ekipet për negociata. Procesi është plotësisht i bllokuar”, komentoi në një intervistë për BNT, Momçillo Radulloviç, kryetar i Lëvizjes Evropiane të Malit të Zi.