Gjokutaj i kërkoi gjykatës të mos paguante Alban Rulin, por 6 ditë më vonë i kaloi 250 mln lekë në llogari


Nga Elton Qyno
Kalimi i një shumë prej 500 milion lekë të vjetra në llogarinë e shtetasit Ilir Thana, është bërë shkak për arrestimin, sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, Drejtorit Juridik të kësaj ministrie Fatmir Hoxha, përmbaruesit privat Alban Ruli dhe vetë kreditorit Ilir Thana.

“Ora News” zbulon detaje të reja rreth këtij operacioni, që në prapaskenë të gjithë skemës kanë qëndruar njërës të afërm të zyrtarëve më të lartë të ministrisë së Financave.

Një fakt i tillë ka dalë pas arrestimit të 4 personave, ku për fatin juridik të të cilëve kanë shfaqur interes njërës të afërm të zyrtarëve të ministrisë së Financave.Gjithashtu një detaj i administruar kohët e fundit nga prokuroria e Tiranës, qartëson faktin se vetë Arlind Gjokutaj dhe Drejtori Juridik i ministrisë, Fatmir Hoxha, kanë kundërshtuar në gjykatë veprimet përmbarimore të Alban Rulit, duke i cilësuar ato si të paligjshme.

Përmes një shkrese të datës 22 shtator 2022, Arlind Gjokutaj i drejtohet me një sqarim të plotë gjyqtares Blerina Muça. Përmes këtij dokumenti, Gjokutaj pretendon se veprimet përmbarimore të Alban Rulit për tërheqjen e një shumë prej 145.867.920 lekë ose 1.2 milion euro, janë të paligjshme dhe “Nul”.Kjo pasi siç shprehet Arlind Gjokutaj në fund të dokumentit, ”…ministria e financave dhe Ekonomisë, në cilësinë e palës së tretë ka shlyer plotësisht detyrimet financiare që rrjedhin nga vendimi i gjykatës së datës 1 dhjetor 1996…”.

Nisur nga kjo situatë, Gjokutaj i ka kërkuar gjykatëses, Blerina Muça, që të pranonte kërkesë padinë për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore dhe ndërprerjen e ekzekutimit të vendimit.

Por çuditërisht, vetëm 6 ditë pas këtij dokumenti dorëzuar në gjykatë, Arlind Gjokutaj dhe Fatmir Hoxha, kanë firmosur nxjerrjen e urdhrit të pagesës, me një vlerë prej 250 milion lekë të vjetra si shkak për ekzekutimin e vendimit të gjykatës.

Lekët kanë kaluar fillimisht në llogarinë e përmbaruesit, Alban Ruli, dhe mandej në llogarinë bankare të Shpresa Priftit, motrës së Ilir Thanës.

“Ora News” zbulon ekskluzivisht foton e momentin, kur Ilir Thana, personi i arrestuar nga prokuroria e Tiranës për akuzën e “Mashtrimit me shumë të mëdha”, shfaqet në ambientet e bankës “ABI Bank”, në Tiranë, duke tërhequr topat me para nga sporteli.Në këtë foto, Thana shfaqet së bashku me motrën e tij, Shpresa Prifti. Teksa një punonjëse e bankës, ka lëshuar në tavolinë sasinë e parave prej 250 milion lekë të vjetra, të cilat janë numëruar përmes kësaj makine elektronike, siç shihet në foto.

Ky është kësti i parë, që me sugjerim të Drejtorit Juridik të Ministrisë së Financave, Fatmir Hoxha dhe firmën e sekretarit të Përgjithshëm, Arlind Gjokutaj, lëvrohet pagesa prej 250 milion lekë të vjetra, e cila siç duket tërhiqet CASH nga Ilir Thana dhe motra e tij.

Latest articles

Related articles