Fundi i tre Dinosaurëve


Nga Erl Kodra

Shumkush ka menduar se tre dinosaurët e politikës shqiptare të këtyre 32 viteve janë të pavdekshëm. Edhe unë kam patur dyshime se çmontimi i tyre do të ishte i pamundur, dhe ne ishim të dënuar që t’i mbajmë mbi shpinë gjithë jetën, ashtu siç mbajtëm Enver Hoxhën për 45 vite me rradhë, derisa e mori mortja. Por lavdi Zotit, nuk paska qenë e shkruar që të shohim Edi Ramën të plaket në karrigen e Kryeministrit, dhe kolegët e tij në krye të partive opozitare.
E di se shumë njerëzve nuk do t’u pëlqejë ajo çfarë do të shkruaj sonte, megjithatë, nuk jam unë fajtor nëse them gjëra që nuk ju pëlqejnë, por që rezultojnë të vërteta. Analiza e fakteve – domethënë zhvillimet e 7 viteve të fundit – ndryshimet kushtetuese dhe legjislative, por edhe zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe më gjerë, në mënyrë të pashmangshme do të çojnë në një produkt konkret, të thellë dhe gjithpërfshirës.
Me pak fjalë, për Edi Ramën kjo ishte java e fundit si Kryeministër fuqiplotë i Shqipërisë, sepse formalisht ai mund të jetë edhe disa javë ose muaj. Situata e tij i ngjan të sëmurit me kancer, me ditë të numruara. Mund të shkojë disa javë më shumë, por fundi është i pashmangshëm. Diagnoza e vendosur nga Byroja Federale e Hetimit është thjeshtë e pashpresë. Game Over.
Ilir Meta me kohë ka marrë të njëjtën rrugë, pa kthim. Edhe ai po mban veten me gajret, se do të gjejë një varkë shpëtimi në sekondat e fundit. Por ska shanse, se rrethi po ngushtohet papushim. Në të vërtetë teposhtza për të ka filluar që në vitin 2013. Agoni më të gjatë politike nuk ka përjetuar askush. Por në Shqipëri ndodh, nuk është aspak e çuditshme.
Sali Berisha ka qenë njeriu më me fat në politikën shqiptare. Si askush tjetër, ai i kishte shanset më të mëdha që të largohej nga skena me njëfar nderi. Por Zoti ia mori edhe atë pak mirësi që i kishte mbetur, dhe nuk u largua, pavarësisht këshillave që i dhanë miqtë dhe dashamirët. Duket se gjithmon ka kohë për t’u koritë. Vetëm vitin e fundit nuk mund të llogaritet dëmi që i bëri Partisë Demokratike dhe Shqipërisë. Për fat të keq, fundi i tij politik do të jetë edhe fundi i shumë të tjerëve në Partinë Demokratike.
Ajo çka doja të nënvizoj edhe njëherë, është fakti se ngjanë disi e pabesueshme, por po rezulton e vërtetë:
Tre dinosaurët EDI RAMA, ILIR META dhe SALI BERISHA po largohen njëherësh. Për shkaqe sigurie dhe ekonomizimi. Që asnjëri të mos ketë mundësi rikthimi, as reagimi, as destabilizimi. Të tjerët do hyjnë në rrjesht për një.

Latest articles

Related articles