KOMENT | Me shpresë tek Zoti dhe tek Amerika

Nga Erl Kodra

Kur Edi Rama filloi të flasë për dosjen ruse të Partisë Demokratike, konfuzioni pushtoi opinionin publik. Histori të tilla ndikojnë pak tek militantët, por sigurisht që një pjesë e opinionit preket nga këto histori plot mistere, që nuk mund të verifikohen. Në pamje të parë, historia ka një skenar të denjë për NETFLIX, por edhe disa pika të dobta lidhëse, që për vëzhguesit e vëmendshëm lënë vend për skepticizëm. Në të vërtetë, janë pikërisht këto dobësi që më në fund e qartësuan skemën e asaj çfarë kishte ndodhur.

Por harrojeni për një moment paragrafin e mësipërm, sepse disa gjëra duhet të thuhen ndryshe, me gjuhën e duhur dhe qasje tjetër. Dreqi e marrtë, kësaj rradhe kemi Charles McGonigal – dorasi i Edi Ramës – që u pagua për të vrarë politikisht Lulzim Bashën – dhe rrezikon 20 vite burg ekzaktësisht për shkak se ka kryer një krim kundër opozitës shqiptare. Që në këtë moment, Edi Rama nuk mund të jetë më Kryeministër i Shqipërisë. Që në këtë moment, Edi Rama identifikohet si armik i demokracisë, rrjedhimisht si armik i shtetit shqiptar. Sepse dreqi e marrtë, opozita është entitet kushtetues, pjesa kryesore e shtetit demokratik.

Enver Hoxha i vriste të gjithë opozitarët, madje edhe bashkëpunëtorët e vet, sepse nuk duhej të jetonte askush që ia rrezikonte pushtetin. Ndërsa Edi Rama i vret në formë tjetër, përmes dorasëve të porositur dhe të paguar shtrenjtë. Në terma penal, Edi Rama ka kryer një krim të rëndë kundër shtetit shqiptar dhe interesave të vendit. Ndërsa në terma politik, Edi Rama ka kryer “vrasje politike me pagesë”. Ky është fakti për të cilin ka me qindra prova fizike dhe elektronike në dosjen “SHBA kundër Charles McGonigal”. Që nga fjalia e parë dhe deri në fjalën e fundit dosja ka vetëm një histori – krimin që kreu Charles McGonigal për interesat politike të Edi Ramës. Këtij fakti nuk mund t’i ikë askush, sepse edhe po të duam ne, nuk do t’i ikin Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike është në ditët e saj më të zeza, duke lënguar nën dhunën e Sali Berishës, e paaftë të artikulojë asnjë qëndrim politik, përveç atyre qëndrimeve që i interesojnë Sali Berishës. E cfilitur nga një luftë e brendshme pa principe morale, e dërrmuar nga dajaku i doktorit, e pashpresë se mund të ringrihet, Partisë Demokratike i ka mbetur vetëm emri, sepse legjitimitetin ia vrau Sali Berisha. Ne mund të mendojmë sa të duam si gomari në ëndërr, por realiteti është një ujk i madh dhëmb-çatall që na po na shqyen për së gjalli.

Në këto rrethana, e vetmja mundësi që kemi janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Domethënë, nuk ka shanse që kjo histori të mbyllet, të harrohet ose të anashkalohet. Sepse Charles McGonigal-it do t’i bëhet gjyqi në vendin më të madh të botës. Dhe ky fakt do të jetë edhe shpëtimi ynë. Kot nuk thonë se “Rrugët e Perëndisë janë të pafundme”.

Ndaj me shpresë tek Zoti dhe tek Amerika, ky vit do të jetë edhe viti i çlirimit tonë nga Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Latest articles

Related articles