Antikorpi i kujtesës

Kanë kaluar 68 vite nga ai mëngjes i ftohtë gjatë së cilës ushtarët e armatës së kuqe zbuluan horroret e Aushvicit. Skelete të gjalla, eksperimente të mendjeve të devijuara, gjurmë të mijëra jetë të suprimuar pa kurrfarë arsyeje. Ishte fundi i janarit të vitit 1945. Në perëndim e kanë identifikuar me datën 27 janar për të përkujtuar Ditën e Kujtesës, për të mos harruar krimet e nazizmit ndaj popullit të pafajshëm hebre.

Mirëpo varianti nazist i krimeve kundër njerëzimit ishte një prej shumë diktaturave që gjalluan e sunduan shekullin e kaluar. Masakrat me matricë komuniste kanë qenë të shumta, sidomos forma më brutale ajo staliniste në Bashkimin Sovjetik, që u implementua me aq zell e zjarr nga udhëheqësi i ri i komunistëve, Enver Hoxha, i cili për 45 vjet sundoi me frikë dhe terror të pashembullt Shqipërinë.

Njerëzimi në shekullin e XX-të prodhoi Hitlerin dhe Musolinin që u ndoqën më pas nga Stalini, Pol Pot, Çaushesku, Mao dhe Enver Hoxha.Përgjithësisht diktaturat më të egra përfundojnë me vdekjen e tiranit. Fundi i nazizmit, i fashizmit apo i maoizmit erdhi pas vdekjes së Hitleri, Duçes dhe Mao Ce Dunit. Megjithëse sëmundja komuniste kishte krijuar një refleks të kushtëzuar gjallimi dhe pas vdekjes së diktatorëve, ngase pas vdekjes së Stalinit, Pol Potit dhe Enverit frika do të sundonte derisa të mposhtej prej lëvizjeve demokratike. Frika e hyrë deri në palcë i kushtëzonte njerëzit të nisnin sipërmarrjen e lirisë.

Kuptohet vetiu që regjimet diktatoriale, qofshin ideologjikisht të majta apo të djathta, kanë disa të përbashkëta bazike. Afërmendsh më kryesorja është amplifikimi i anës së errët të njeriut për të gënjyer, spiunuar dhe vrarë. Ky amplifikim ka ardhur duke u shtuar kryesisht nga trysnia e propagandës deformuese të realitetit dhe nevoja për të sajuar “armiq të brendshëm” dhe “armiq të jashtëm”, që pengonin realizimin me cdo kusht të parajsës në tokë. Sepse të gjitha diktaturat utopike nisen nga një mision kinse përparimtar dhe të gjitha përfundojnë në makthe kolektive. Dhe kolektivizimi jo vetëm i kafshëve, por dhe i njerëzve prodhoi formën më ekstreme të hipokrizisë, aty vlera zëvendësohet nga anti-vlera, aty leximi është nënkuptimi dhe shpëtimi është alegoria e jetës së pa jetuar.

Të gjitha krimet totalitariste duket në pamje njësoj sepse motivimi kriminal është i njëllojtë: se i dënuari ka prekur a cenuar në nja forma a në një tjetër parajsën e krijuar nga njeriu i ndritur që sundon ndërgjegjen dhe nënndërgjegjen.Është në thelb banaliteti i së keqes i shpjeguar aq mirë nga Hanah Arendt. Ajo merr një shembull Adolf Eichmann, i cili ka qenë një nazist i rëndomtë për nga kultura dhe intelekti, pa ndonjë profesion a dëshirë për të punuar. Me një fjalë një dështak në të gjitha kuptimet. Megjithatë si shef i një prej seksioneve të sigurimit kombëtar të SS-ve në Berlin organizoi në mënyrë të menjëhershme internimin e hebrenjve gjermanë në Poloninë lindore, planifikoi dëbimin e miliona hebrenjve në Madagaskar, organizoi kampe përqendrimi dhe mbështeti e gati realizoi projektin e një Gjermanie pa hebrenj. Banaliteti i këtij individi, përveç faktit që ishte një person i rëndomtë, qëndron në faktin se as para gjyqit që e dënoi me vdekje nuk arrinte të kuptonte të keqen që kishte bërë vuajtjet që kishte shkaktuar e jetët që kishte marrë.

Çdo gjë i dukej normale.

Ashtu siç i duken normale sot Nexhmije Hoxhës vrasjet e burrit të saj, Enver Hoxha (një njeri i rëndomtë në intelekt) në sundimin e diktaturës staliniste me mijëra të vdekur dhe të internuar pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Sidoqoftë duhet të kuptojmë një gjë: njerëzimi ka mundur të prodhojë një Hitler, një Stalinin apo Enverin dhe të gjenerojë egërsinë e tyre, prandaj duhet patur një sy kritik ndaj atyre që kanë sadopak tipare të këtyre diktatorëve të së kaluarës dhe mund të ngrejnë kokë sapo të kenë pushtet mbi fatet e qytetarëve. Ne gazetarët e bëjmë në mënyrë sporadike rrëfimin e një sëmundje që s’do shumë për të prekur njerëzit, sidomos në kohë të tilla vështirësish ekonomike. Tentativat radikale për të asgjësuar opozitën, dëshira për pushtet të përjetshëm, për dhunë janë simptomat e para të gjendjes së etheve. Të parandalojmë që sëmundja të dobësojë kujtesën tonë, që është i vetmi antikorp që ajo që ka ndodhur të mos ndodhë më.

Latest articles

Related articles