Tabaku, takim me reporteren e PE: Procesi i integrimit të jetë gjithpërfshirës dhe për qytetarët

Në nisje të vitit 2023, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian u mblodh për të diskutuar në lidhje me prioritetet e saj për vitin 2023. Në hapje të mbledhjes kryetarja e Këshillit të Integrimit Europian, Jorida Tabaku, u shpreh se Këshilli dhe opozita ka si synim përshpejtimin e “procesit të integrimit europian dhe mbi të gjitha viti ku do të nisë rrugëtimi për të “Ndërtuar Europën këtu!”

Në praninë e reporteres për Bashkimin Europian, Isabelle Santos, znj Tabaku foli dhe për ndryshimet ligjore që pritet të marrin formë në ditët në vijim pas punës së Komisionit ad hoc të ngritur në kuvendin e Shqipërisë. Ajo argumentoi se qëllimi i rishikimit të ligjit për Rolin e Kuvendit në Procesin e Integrimit ka për qëllim rritje e rolit të kuvendit dhe gjithpërfshirjen e shoqërisë në proces.

Qëllimi i opozitës edhe i imi personal, u shpreh deputetja e PD Tabaku, është shndërrimi i procesit të integrimit në një proces gjithëpërfshirës. Pra, në një proces kombëtar! Roli i kuvendit shqiptar fatkeqësisht është anashkaluar, për rrjedhojë procesi i integrimit ka mbetur vullnet i qeverisë ndërsa parlamenti peng i këtij vullneti.

Ligji që po miratojmë në dakordësi bipartizane, ka synim zhvendosjen e kuvendit, pra qytetarëve, në qendër të këtij procesi dhe si motor i tij. Ne jemi të bindur që ky Këshill por edhe Komisioni Integrimit Europian do të pësojnë një hop cilësor pas miratimit të këtij ligji.

Shqiptarët, presin që procesi i integrimit të jetë prioritet. Ky është një proces transformues, një proces që ndikon drejtë për drejtë në jetën sociale të vendit. Jo vetëm në anën legjislative, por mbi të gjitha në pikëpamjen shtetformuese. Të gjithë ne jemi koshient që tregu, siguria, sundimi i ligjit, prodhimi, konkurrenca dhe ndërveprimet njerëzore dhe tregtare do jenë më të mëdha.

Gjatë vitit të kaluar ne kemi bërë disa seanca dëgjimore në lidhje me plotësimin e kritereve: lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit; reforma në drejtësi; administrata publike dhe prona; zgjedhjet; e mbi të gjitha amnistia fiskale e pasaportat e arta si dhe iniciativa të tjera të qeverisë që nuk duhet të ishin sot çështje diskutimi.
Unë ju siguroj që ky këshill do të vazhdojë përsëri të kërkojë zbatimin e të gjitha kritereve dhe detyrime në këtë proces.

Latest articles

Related articles