Në shtator të vitit 2022, Edi Rama, e konsideronte mik ish agjentin e FBI, ndërsa një dite më parë përdrodhi gjuhën për të na treguar një kuptim pa kuptim, të fjalës “mik” në gjuhën angleze.
Rama tha në shtator menjëherë pas publikimit të parë të skandalit nga media prestigjioze amerikane “The BusinessInsider”: “Shefi i Kundërterrorit i FBI-së ka qenë dhe është miku im nuk diskutohet”.
Po Edi Rama në 25 janar pas arrestimit të mikut të tij McGonigal, tha:
E para punës, fjala mik është një fjalë shumë e madhe, unë kam folur në gjuhën angleze për natyrën e marrëdhënies dhe kam thënë “Friendly relation”, një raport miqësor!
Pas këtij mohimi nën panik, kur gazetarja Ambrozia Meta, i kujtoi se informacionet për Nick Muzin dolën nga zyra e kryeministrisë dhe kjo është e shkruar në konkluzionet e dosjes hetimore, Rama e mohoi sërish, duke bërë një deklaratë të pavërtetë.
“Përfundimet e hetimit dhe fillimi i fazës tjetër të procesit, ku hetuesit amerikanë kanë dorëzuar dosjen e hetimit të tyre, nuk ka asgjë nga këto që thoni ju. Absolutisht asnjë konkluzion”, u përpëlit sërish ai.
Gazetarja Ambrozia Meta këmbëngul: Aty përmendet që informacionet kanë dalë nga zyra e kryeministrit…
Edi Rama sërish përdridhet: Përmendjet lexojini mirë se aty nuk përmendet absolutisht një gjë e tillë, aty thuhet çfarë thotë njëri dhe çfarë thotë tjetri…
Por si është e vërteta?!
Në pikën 40 të akt-padisë në gjykatën e Uashingtnit ndaj McGonigal shkruhet tekstualisht:
Më 22 janar 2018, i pandehuri Mc Gonigal mori informacion në lidhje me lobistin amerikan nga Personi A, dhe ai ia përcolli informacionin një zyrtari tjetër. Personi A kishte marrë informacionin nga Zyra e Kryeministrit shqiptarë.
Edhe për këtë rast do të thotë se hetuesit amerikanë që e kanë investiguar 5 vite rresht këtë skandal, kanë “ngatërruar”fjalët në anglisht?!
Përpëlitjet nuk rreshtin këtu.
Në vend që të hesht sepse çdo fjalë do ti përdoret kundër kur të hapet hetimi në Shqipëri apo SHBA, Edi Rama, për të treguar se “Personin B”- Agron Neza, që furnizonte ish-zyrtarin e arrestuar të FB me “informacione” për të implikuar Lulzim Bashën, e thelloi pozitën e tij edhe më shumë. Deklaroi se thuajse nuk e njihte dhe pse ishin takuar disa herë në zyrën e tij si dhe kishin ngrënë e pirë së bashku në ShBA, siç del nga dosja. Të gjitha këto takime janë bërë në funksion “të provave”, për të sulmuar lobistin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës..
Por si i sajoi më herët provat Edi Rama?
Më 25 nëntor, McGonigal, informon Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë, për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobim “për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama”. Sipas akt-padisë, një ditë më herët McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga “Personi B”. Personi B është Dorjan Duçka, i cili siç tha Rama punonte pa para për të.
Më 4 janar 2018, sipas akt-akuzës në gjykatën e Uashingtonit, McGonigal, mori informacion për lobistin amerikan nga “Personi A” dhe të nesërmen ia dërgoi informacionin një agjenti tjetër të zyrës së FBI-së në Nju Jork.
Dhe po ta lexoni me vëmendje “provat” nga zyra e kryeministri, ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal, ua ka kaluar fillimisht personave të ndryshëm, një herë një kolegu, e herë tjetër një vartësi.
Në akuzën e ngritur ndaj ish agjentit të FBI theksohet, se më 22 janar ai, (ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal), mori përsëri informacion nga Personi A- Agron Neza, për lobistin dhe ia dërgoi një vartësi. “Personi A”, sipas akuzës e kishte marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, siç edhe shkruhet e zeza mbi të bardhë në pikën 40 të akt-akuzës.
Rrugës ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, nuk arriti të gjente asnjë provë, por gjithçka u bazua mbi ato që i serviri kryeministri Edi Rama në rrugë private. Në këtë pikë mediet e Ramës ngrenë alibinë se nuk ka asgjë të keqe që kryeministri të bashkëpunojë për një çështje si “ndërhyrja e Rusisë” në një lobime për opozitën shqiptare, me partnerët amerikanë.
Edhe kjo alibi më shumë rëndon direkt kryeministrin e Shqipërisë. Siç del nga dosja, e gjithë marrëdhënia Rama- McGonigal-Neza-Duçka është personale, e fshehtë dhe jo zyrtare. Nëse Edi Rama do të donte që të ndihmonte FB-në, mund të fuste në lojë Shërbimin Informativë që e ka edhe në varësi. Por ai ka përdorur si furnizues “informacionesh” një person pa asnjë lidhje me shtetin shqiptarë, siç është ish punonjësi i Sigurimit të Shtetit Agron Neza.
Edhe ish zyrtari i FBI, siç del nga dosja e akt-padisë, procedurën e mbledhjes së këtyre informacioneve të dala nga zyra e kryeministrit, nuk e ka raportuar zyrtarisht në strukturat e FBI.
Por edhe kur “hetimi” i porositur morri rrugë dhe pasi, as zyrtari i Departamentit të Drejtësisë në SHBA dhe as kolegë dhe vartës të tij nuk gjetën asnjë provë për çështjen e loimit, atëherë vetë McGonigal, vendosi të drejtojë një hetim me dëshmitarë mikun e tij, Agron Neza, që i sillte provat, (Pika 40 e akt-padisë), nga zyra e Edi Ramës. Dëshmitarët ia siguroj personi B – Dorian Duçka, i cili edhe i paguante udhëtimet. Për këtë person Edi Rama tha ditën e djeshme se punonte për atë “pa pagesë”…
Sipas akt-padisë, “më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan, me kërkesën dhe nën udhëzimin e zotit McGonigal. Më pas “Personi A” u identifikua si burim konfidencial, në mbështetje të hetimit”.
Po sipas akt-padisë; “Më pas Personi B ndihmoi në organizimin e një takimi mes zyrës së FBI-së në Nju Jork dhe dëshmitarëve në Evropë, duke paguar mes të tjerash për shpenzime udhëtimi të dëshmitarëve”.
Pra me pak fjalë, ish agjenti i FBI ka bërë gjithçka për të nisur një hetim me provat e dala nga zyra e kryeministrit, ka dëgjuar “dëshmitarët” që ia ka servirur kryeministri me paratë e tij, apo aferave ekonomike me Nezën dhe Duçkën. Burimi i vetëm i këtij fake hetimi është Agron Neza, njeriu që përcillte provat nga zyra e kryeministrit te ish agjenti i FBI. Kaq mjafton për çdo qytetar për ta kuptuar se si u sajua “historia e rublave” me të cilën u sulmua dhe u shantazhua Lulzim Basha deri përpara 1 muaji.
Por loja, skema mafioze ka vazhduar, edhe me medet dhe opinionin publik ndërkombëtarë dhe shqiptarë.
Pasi nuk pati asnjë shkelje ligji për hetime penale, në Mars 2018 revista amerikane “Mother Jones” publikon lajmin se, “Sipas burimeve brenda FBI, (MCGonigal), lobimet e PD në SHBA janë financuar nga elementë rusë”.
Kjo pastaj u përdorë më pas nga Edi Rama dhe PS, për të sulmuar kreun e PD Lulzim Basha. Që pas përjashtimit që ky i fundit i bëri Sali Berishës nga grupi parlamentarë pas shpalljes “non grata” nga SHBA, edhe Sali Berisha nuk i hoqi nga goja sulmet “me rubla ruse” në sinkron me Edi Ramën.
Për lobimin e PD nuk pati kurrë asnjë hetim të drejtësisë amerikane e aq me pak dënim siç pretendon Edi Rama, i cili ka rihapur thesin e pagesave këtë herë në mediet shqiptare për tu vetëmbrojtur dhe mbuluar krimin e paprecedentë që gatoi me ish-zyrtarin e arrestuar të FBI dhe konfidentët, Dorian Duçka dhe Agron Neza.
Por tashme nuk ka gjasa që të mos zbardhet, pasi vetë ish agjenti ka dhënë dhe do të japë detajet e duhura ndaj, Edi Rama, bën mirë që të heshtë. Sepse çdo fjalë nga ai dhe nga rrogëtarët e tij, vetëm i rëndon pozitën.
Dhe mesa duket që tani ka marrë avokat i cili e ka këshilluar që të heshtë, pasi ndryshe nga dita e djeshme, sot nuk u shfaq në parlament që të fliste për këtë çështje tronditës edhe madje urdhëroi deputetët e tij që me vota të hedhin poshtë një debat jashtë radhe në seancë për këtë superskandal që ka brenda “Korrupsion dhe minim të demokracisë” shqiptare.