Qeveria gjermane njoftoi të mërkurën vendimin e saj për të dërguar tanket e saj Leopard 2 në Ukrainë duke thyer një nga tabutë e mëdha për dërgimin e armëve në Kiev. Berlini njoftoi mëngjesin e sotëm se trajnimi i personelit ukrainas do të fillojë në fund të janarit, ndërsa tanket duhet të mbërrijnë në fund të marsit, fillim të prillit.
Udhëheqësit e SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë zhvilluan një takim telefonik pas njoftimit ku rikonfirmuan “mbështetje të palëkundur për Ukrainën, të cilën ne do ta mbajmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Sa i përket Polonisë, Varshava ka bërë të ditur se furnizimi i tankeve të saj është çështje javësh dhe se përpjekjet për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për të çuar sa më shumë njësi në Ukrainë do të vazhdojnë. Vlerësohet se janë rreth dy mijë tanke të tillë në tokën evropiane. Nga ana tjetër, Suedia ka deklaruar se dëshiron të kontribuojë në dërgesat me ndihmën e logjistikës dhe trajnimit.
Moska reagoi sipas pritshmërive. Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolaj Patrushev, deklaroi se SHBA-ja dhe NATO-ja janë bërë palë në konfliktin në Ukrainë dhe “ato synojnë të vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të zgjatur këtë konflikt ushtarak”. “Edhe me përfundimin e fazës së nxehtë të konfliktit në Ukrainë, bota anglo-saksone nuk do ta ndalë luftën e saj me prokure kundër Rusisë dhe aleatëve të saj”, përfundoi Patrushev. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha në një mesazh Telegram se vendimi gjerman ishte dëshmi e “luftës së paramenduar kundër Rusisë”. Vladimir Putin nuk ka bërë asnjë koment.
Moska duket se po rrezikon varësinë e tepruar nga Kina, e cila mund të jetë e kushtueshme. Pjesa e Kinës në tregtinë totale të Rusisë është rritur nga rreth 10% në 2013 në 18% deri në fund të 2021. Por pushtimi i Ukrainës dhe sanksionet që rezultuan të vendosura si ndëshkim përshpejtuan lëvizjen e Moskës drejt Pekinit dhe anasjelltas. Si rezultat, ekonomia ruse tani është shumë e varur nga kapitali kinez. Ndërsa kjo mund të jetë e favorshme për Rusinë tani, varësia e tepërt nga financat kineze do të forcojë statusin e Rusisë si një partner i dobët në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping kanë folur për “një miqësi pa kufi” mes dy vendeve. Por e vërteta është se pushtimi i Ukrainës ka çimentuar statusin e Rusisë si një partner i dobët në një marrëdhënie gjithnjë e më të njëanshme.