Analisti Andi Bushati deklaroi se në aktakuzën për ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, thuhet se ky i fundit është paguar për të hetuar një parti politike në Shqipëri.
Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Bushati u shpreh se kjo vërteton faktin që kryeministri Edi Rama ka paguar për të goditur ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Ajo u kuptua qartë, e ke në aktakuzë. Ai thotë, u pagua për të hetuar një parti, nuk thotë PD-në, një parti kundërshtarë të kryeministrit. E para, çfarë vërteton kjo? Vërteton se këta nuk janë të interesuar të godasin një parti, ata thjesht kanë qenë korrierët e njeriut që është në politikë dhe do të godasë një kundërshtar.
Pra, që këtu Rama implikohet. Fakti që do të godasësh një kundërshtar tjetër politik, këtë e bën vetëm një politikan”, theksoi ai.
Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë arrestimit ditën e djeshme të ish-zyrtarit të lartë të kundërzbulimit të FBI-së Charles McGonigal.
Ndaj McGonigal janë ngritur akuza për shkak se ndihmoi një oligark rus, duke shkelur sanksionet amerikane. Ai bashkëpunoi me një ish-diplomat sovjetik, që punonte si përkthyes për miliaderin rus Oleg Deripaska.
Departamenti i Drejtësisë thotë se ai gjithashtu fshehu nga FBI-ja detajet e një udhëtimi që bëri në Shqipëri në vitin 2017, së bashku me një ish-zyrtar të shërbimeve shqiptare të zbulimit, i cili i kishte dhënë 225 mijë dollarë.