Tjetër aksion kundër Cosa Nostra, arrestohen 7 persona, të dyshuar si pjesë e organizatës mafioze

Karabinierët në Palermo kanë arrestuar këtë të martë 7 persona, të dyshuar si pjesë e organizatës mafioze Cosa Nostra. Sipas asaj që shkruan ANSA, bëhet fjalë për familjen mafioze të Rocca Mezzomorreale dhe drejtuesit e saj, të dënuar më parë dhe të liruar pasi e kishin shlyer dënimin.

Në pranga përfunduan edhe njerëz të konsideruar si të ‘nderuar’, të cilët deri më tani u kishin shpëtuar hetimeve dhe që thirreshin vetëm në rastet kur organizata ishte në situata kritike.

Për 5 prej të arrestuarve u caktua masa arrestit me burg, ndërsa 2 të tjerë u lanë në arrest shtëpie. Operacioni i kryer mes Riesi, në zonën e Caltanissetta dhe Rimini bëri të mundur shpërbërjen e familjes mafioze të Rocca Mezzomonreale dhe konfirmoi edhe njëherë figurat historike të këtij klani, të njohur në të shkuarën për disa krime të rënda. Ata po ashtu njihen për faktin se mbanin kontakte me bosin e Cosa Nostra, tashmë të arrestuar, Matteo Messina Denaro.

Në operacionin e kësaj të marte në pranga ranë Pietro, Gioacchino dhe Angelo Badagliacca, Marco Zappulla e Pasquale Saitta. Ndërsa në arrest shtëpie u lanë Michele Saitta e Antonino Anello.

“Ka një statut të shkruar… që e kanë shkruar baballarët themelues”. Kështu thotë një nga bosët e arrestuar, duke mos e ditur se po përgjohej. Një zbulim që hetuesit e konsiderojnë shumë të rëndësishëm dhe që konfirmon respektimin nga bosët mafiozë të rregullave strikte, një lloj “Kushtetute” mafioze.

Drejtuesit vazhdojnë të respektojnë “rregullat” e vjetra mafioze dhe të imponojnë respektimin e tyre ndaj anëtarëve të tjerë. “Parime” që bosët e mafias vazhdojnë t’i konsiderojnë mburojë të vetë ekzistencës së Cosa Nostra-s. Si pjesë e bisedës së regjistruar, e cilësuar nga hetuesit si “jashtëzakonisht e rrallë në përvojën gjyqësore”, personat në fjalë iu referuan disa herë ekzistencës së një “kodi të shkruar mafioz”, të ruajtur prej dekadash me fanatizëm dhe që rregullon ende sot jetën e Palermos.

Në përgjime, bosët e arrestuar të mafias kritikojnë strategjinë e masakrave të bosit Totò Riina.

“S’ka nevojë për masakra. Pse gjithë këto bomba, gjithë këta gjyqtarë, gjithë këta… po çfarë janë?”, thotë njëri nga të dyshuarit duke mos ditur se po përgjohej, duke iu referuar edhe vendimit për vrasjen e familjarëve të të penduarit Tommaso Buscetta, para se të fillonte të bashkëpunonte me drejtësinë. Fjalë të ashpra rezervohen edhe për ish-bosin Giovanni Brusca, për të cilin shpreheshin se duhej ekzekutuar.

Sipas dy kumbarëve të përgjuar, Riina dhe njerëzit e tij “mendoni vetëm të mbushnin xhepat e tyre”.

“Po dhe nuk u interesonte asgjë. Nuk është se e kanë dashur gjënë (duke nënkuptuar me gjasë organizatën mafioze) sepse dikush që e do, bën gjëra për të mos e shkatërruar, për ta mbajtur”, shprehet një prej tyre.

“Jam këtu për të falenderuar karabinierët jo vetëm për arrestimin e Messina Denaro, por për punën që bëjnë çdo ditë, dhe punën e bërë në muajt dhe vitet e mëparshme, për sakrificën”.

Kështu deklaroi ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, gjatë një takimi me karabinierët e Sicilisë.

“Sot u arrestuan 7 persona sepse një orë pas arrestimit të Matteo Messina Denaro, kushdo që e arrestoi ka rifilluar punën, luftën kundër krimit të organizuar. Puna vazhdon dhe njerëzit që bëjnë të gjitha këto përfaqësojnë shtetin dhe anën e tij të pastër që përpiqet të ndalojë (mafian). Sot prania ime këtu është për t’i falenderuar ata”, shtoi Crosetto.

Latest articles

Related articles