Charles Mc Gonigal, i cili ka mbajtur detyrën e Kundër Spiunazhit në FBI, rezulton se është aksioner me 25 përqind në një zyrë konsulence në Tiranë. “Law office & Investigation” është regjistruar në Shqipëri në vitin 2008, nga avokati shqiptar Shefqet Dizdari. Në prill të vitit 2019, ai shet një pjesë të aksioneve të tij tek tre persona të tjerë. I pari ishte Charles Mc Gonigal, ish-agjenti i FBI-së që tashmë po hetohet nga prokurorët amerikanë për lidhje me interesat ruse. I dyti është ish-kolegu i tij në FBI, Mark Thomas Rossini, i cili është nën hetim nga autoritetet në Porto Riko për mashtrim, pastrim parash dhe konspiracion. Aksioneri tjetër është Agron Neza, një shqiptaro-amerikan me banim në Nju Xhersi, emri i të cilit shfaqet në dokumentat e prokurorëve amerikanë. Në atë dokument gjendet emri i një shqiptari tjetër, Dorian Duçka, i cili prej vitesh punon si këshilltar i jashtëm për investimet në zyrën e kryeministrit Edi Rama.
Adresa e saj, sipas dokumentave zyrtarë, është: “Rruga Ismail Qemali, Pallati “Fratari”, ap. 8/A”. Saktësisht në të njëjtën adresë, “Rruga Ismail Qemali, Kulla Fratari, Nr.27, Ap 8-A”, gjendet selia qendrore e shoqërisë “Terraoil Swiss”, filiali shqiptar i kompanisë zvicerane “Terraoil Swiss AG”. Përfaqësuesi ligjor i kompanisë së naftës në Shqipëri është avokati Shefqet D., i cili është njëkohësisht edhe ortak me ish-zyrtarin e FBI-së, Mc Gonigal, në zyrën e konsulencës.
Oligarku rus Oleg Deripaska, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka gjetur hapësirë për të shtrirë bizneset e tij në Shqipëri. Pavarësisht se hetohej për korrupsion nga drejtësia amerikane, shteti shqiptar e ka lejuar që të ngrejë biznes e mbadje të bashkëpunojë për marrjen e një koncensioni për ndërtimin e Kaskadës së Hidrocentraleve mbi Lumin Shushicë.
Nga të dhënat e regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se Deripaska ka ngritur një kompani në vitin 2001 me subjekt ‘Ndërtim, Projektim të veprave të ndryshme. Projektim dhe zbatim ne restaurimin e monumenteve te trashegimnise kulturore, arkitektures. Menaxhimi i mbetjeve jo te rrezikshme’.
Në vendin tonë, oligarku rus ka gjetur dhe dy administratorë me të cilët ka ngritur e menaxhuar kompaninë me emër ‘TREMA ENGINEERING 2’ dhe kapital 545 milionë e 568 mijë lekë të reja. Administratorët identifikohen si Enis K. dhe Eduart Gj. Kompania mëmë është Strabag AG e Oleg Deripaska.
E njëjta kompani në bashkëpunim me dy të tjera rezulton se ka operuar në ndërtimin e Kaskadës së Hidrocentraleve mbi Lumin Shushicë, të tipit BOT, (Ndërto-Opero-Transfero). Bashkëpunimi është bërë me GR ALBANIA dhe ALB – STAR shpk, shoqëri të menaxhuara përkatësisht nga dy shqiparë, Realdo M. dhe Gentjan F. e Idajet I..
Këto dokumente tregojnë mjaft qartë që projekte të tilla me shumë rëndësi përfundojnë në duart e gabuara për shkak të mungesës së verifikimit nga ana e institucioneve shqiptare. Ndërkohë që Shqipëria ishte një nga vendet që mbylli ‘qiellin’ për Rusinë, pas luftës së nisur në Ukrainë, oligarkët marrin ende përfitime nga vendi ynë. Kush mban përgjegjësi?