Inflacioni ekonomik dhe inflacioni shpirtëror


Arben Hoxha

Ditëve të fundit, në medie të ndryshme, u shpërnda lajmi se në Kosovë janë futur në qarkullim një sasi e konsiderueshme e parave të rreme. Kjo informatë ma kujtoj titullin e një prej romaneve më të mirë të shkruar e botuar në gjysmën e parë të shek. XX: titullin e romanit të Andre Zhidi “Prerësi i parave të rreme”. Një pjesë e syzheut të këtij romanit është bazuar në një aferë të vërtetë rreth parave të rreme, të cilat, në kohën e Zhidit, prehen në Spanjë ndërsa vihen në qarkullim në Francës.
Në terma ekonomik, futja në qarkullim e parave të rreme e dobëson vlerën e parave të vërteta dhe shkakton inflacion ekonomik. Paratë e rreme, në romanin e Zhidit, janë metafora e inflacionit të vlerave morale, intelektuale e shoqërore, si dhe mjeti subverziv për shkërmoqjen e modeleve të marrëdhënieve në planin intim, ndërnjerëzor, familjar e shoqëror në Francës së shek. XX.
Në Kosovën e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit XX, si dhe në këto dy dekadat e para te shekullit XXI, në mënyrë masive dhe strulturale, në sferën e jetës publike janë vënë në qarkullim një sasi e madhe subjektesh zhidiane “parash të rreme”: politikanë demokratë të rremë e flijimtarë të rremë; intelektualë e moralistë të rremë; doktorantë dhe akademikë të rremë; krijuesë e artistë të rremë. Të gjithë këta, veç e veç, dhe bashkërisht në lidhje reciproke, në jetën shpirtërore të shoqërisë, me sjelljet, me mendimet, dhe me veprimet e tyre, kanë prodhuar inflacion emocional, mendimor e kultural.
Inflacioni ekonomik, sado i rëndë, është i përballueshëm, sepse, për shkak se i dukshëm në drejtpërdrejtshmërinë e efekteve të tij negative, e nxitë nevojën për ta vënë nën kontroll, e për rrjedhojë, edhe për ta eliminuar atë.
Inflacioni emocional, intelektual e kultural, për shkak se jo i drejtpërdrejtë dhe i padukshëm, është i papengueshëm dhe i pakontrollueshëm në shtrirjen e efekteve të tij negative në kohë.
Është heroike për të vendosur masë vleror në botën inflatore-zhidiane të “parave të rreme”!

Latest articles

Related articles