Balla komenton problemet me ligjin të 2 deputetëve të PS. Nuk mbrojmë askënd me avokati

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla nuk komentoi ‘zhdukjen’ e Arben Ahmetajt nga bota politike dhe kontrollin e Policisë në shtëpinë e socialistit Rrahman Rraja.

Ditën e sotme, Balla doli në një konferencë për të komentuar çështjen e ’21 janarit’ dhe nuk u ndal në temat e tjera. Pyetjes së gazetarit për dy kolegët, Balla vendosi ta shmangë duke thënë se PS nuk do marrë në mbrojtje askënd.

Pyetja: Ku ka humbur kolegu juaj Arben Ahmetaj? Kur do angazhohet ai në zgjedhjet lokale? Ju nuk keni bërë një distancim nga Rrahman Rraja, nipi i së cilit sipas SPAK është i përfshirë në atentatin ndaj prokurorit. A mund të ketë shërbyer kolegu juaj si mburojë e eksponentëve kriminale?


Taulant Balla
: Ju e dini që unë kam respekt për detyrën dhe punën e gazetarit. Këtë komunikim publik dua ta mbaj tek kjo dosje, tek 21 janari. Me garancinë më të plotë mirëpres çdo pyetje, një gjë duhet ta dini se PS nuk merr në mbrojtje askënd, nuk është zyrë avokatore e askujt. Bashkë me kolegët e mi dhe me Ramën si kryetar i Partisë e kemi mbrojtur dhe do mbrojmë hetimin për 21 janarin. Për çështje tjetër ju pres që nesër.

Mungesa e Ahmetajt vjen pas kallëzimit penal që gazetari Adriatik Doçi ka bërë në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion ndaj dy prokurorëve Klodian Braho dhe Ened Nakuçi si dhe ndaj ish zv.kryeministrit. Doçi pretendon se dy prokurorët e SPAK kanë fshehur provat dhe kanë devijuar qëllimisht hetimet për të mos çuar përpara drejtësisë zyrtarin e lartë socialist, për çështjen e inceneratorëve.

Katër ditë më parë, SPAK kërkoi shoqërim të detyrueshëm për Ramazan Rrahja, nipin e deputetit Rrahman Rrahja. Kontrollet u zhvilluan në banesën e Rrahman Rrahjës mirëpo nipi i këtij të fundit nuk u gjet aty.

Latest articles

Related articles