Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë me dije situatën e rrugëve nga përkeqësimi i motit në vendin tonë.
Sipas informacionit, gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka rënë intensiteti i reshjeve e për rrjedhojë situata është qetësuar.
ARRSH konfirmon se rrugët janë të hapura dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Në aksin Qafë Thore-Theth, në zonën e tuneleve, vazhdon rënia e ortekëve duke sjellë vështirësi për mjetet dhe punëtorët për pastrimin e rrugës. Dendësia e dëborës është mbi 1 m.
Kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të mbajtur qarkullimin në normalitet, thuhet në njoftim.
ARRSH paralajmëron drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në zonat malore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore gjithashtu.