Nga Indrit Vokshi
Sa e shëmtuar kur sheh Edi Ramën që ende përdor viktimat e 21 janarit për legjitimitet. Nekropolitika, politika me gjakun dhe me të vdekurit, duhet të marrë fund njëherë e përherë. Nga të gjitha partitë. Partitë nuk mund të kenë dëshmorë, vetëm Atdheu ka dëshmorë. Dëshmorët janë ata që luftojnë për mbrojtjen e Atdheut përballë ushtrive të huaja. Dëshmorët në luftrat civile, në konfliktet partiake apo për arsye private, nuk janë dëshmorë.
Nga ana tjetër është gjithashtu e shëmtuar të shohësh Sali Berishën live në 21 janar, “në komunikim me popullin”. Për çfarë del? Për të treguar çfarë? Shteti ka të lejuar dhunën legale. Të gjithë ata që kërcënuan me terror, prej tek Skënder Gjinushi i cili dekalaronte se do e djegin si në Tunizi, deri tek Edi Rama i cili një natë para foli për fusha me të vdekur, duheshin hetuar dhe goditur me Kodin Penal. Goditja pa ligj, përtej ligjit, nuk të legjitimon, të delegjitimon. Shteti është i të gjithëve, nuk është i militantëve të asnjërës palë.