Oligarku i Putin, miku i Edi Ramës. Kush është Aleksandri i tretë në jetën e tij

Hello, my brother Edi” – ishte përshëndetja e pazakontë që presidenti i Izraelit Isaac Hercog, i bëri kryeministrit Edi Rama, në pritjen e rezervuar në rezidencën e tij. Ky takim i vëllezërve sipas, Jerusalem Post, ishte sponsorizuar nga Alexander (Sasha) Mashkevich, miliarder kazako-hebre, me një pasuri prej 2.4 bilion dollarë, të përftuar nga investimet në burimet natyrore në ish-vendet e Bashkimit Sovjetik. Bashkë me partnerët e tij, Patokh Chodiev dhe Alijan Ibragimov morën nën zotërim korporatën  “Eurasian Natural Resources” me 80 mijë punëtorë në 2006.

Sipas një shkrimi konfirmues në revistën amerikane “Foreign Policy” të datës 8 tetor 2022, vizita 3 ditore e kryeministri Edi Rama në Izrael për të takuar lidershipin e maxhorancës, kryetarin e parlamentit, qeverisë dhe opozitës, si dhe fjalime përkujtimore mbi Holokaustin ishin organizuar nga Sasha Mashkevich, 68 vjeç.

Lidhja me Ferronikelin në Kosovë

Ferronikeli, një fabrikë minierash dhe shkrirjeje në pronësi të dy manjatëve izraelitë, ishte në 2011 një nga ndërmarrjet më të mëdha në të gjithë Kosovën. Minierat e nikelit në zonën e Drenasit të Hashim Thaçit ishin blerë për 33 milion euro nga kompania Cunico, e përbërë nga Alexander Mashkevich, që drejtonte kompaninë International Mineral Resources (IMR ) dhe një biznesmen tjetër izraelit Benny Steinmetz Group, në vitin 2006, pas transferimit të kompetencave të UMNIK tek qeveria e Kosovës të drejtuar nga Agim Çeku. Kompania zotëronte edhe miniera të tjera në Maqedoninë e Veriut.

Kompleksi i Drenasit daton nga viti 1984, kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë komuniste. Ai përbëhet nga tre miniera të hapura të nikelit dhe një fabrikë në të cilën prodhohet metali, i përdorur në prodhimin e çelikut inox dhe baterive të rikarikueshme. Në vitin 1998, gjatë luftës Kosovë-Serbi, kompleksi pushoi së prodhuari dhe një vit më vonë u dëmtua nga bombardimet serbe. Ai nuk rifilloi funksionimin derisa u privatizua dhe iu nënshtrua rinovimit.

Biznesi me Samir Manen

Një kompani e panjohur me emrin, “NKL Limited” u përmend se bleu Ndërmarrjen Shoqërore “Feronikeli”, nga kompania “Cunico Resource”, të Alexander Mashkevich. Me datë 24 korrik 2018, Reuters jep lajmin se, grupi i Balfin do të kontrollojë aksionet përmes NKL Limited me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila në qershor të këtij viti i bleu ato nga Cunico Resources. Pak muaj më vonë, biznesmeni Samir Mane do të vizitonte pronën e blerë nga Alexander Mashkevich, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Një ndër hapat e parë të Grupit Balfin dhe Z. Mane ka qenë shlyerja e pagave të prapambetura të punonjësve të fabrikës dhe negocimi me kompanitë e tjera për të zgjidhur problemet e trashëguara.

Sanksione nga SHBA

Agjencia Qendrore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës (GUR) raportoi në datën 23 mars 2022 se oligarkët rusë vuajnë nga sanksionet dhe duan të ndalojnë presidentin rus Vladimir Putin. Sipas GUR, një takim midis oligarkut rus Peter Aven dhe miliarderit kazak Alexander Mashkevich u zhvillua në Moskë. Gjatë takimit, Aven vuri në dukje se oligarkët rusë janë jashtëzakonisht të irrituar nga politikat e Putinit. Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe biznesmenëve të veçantë për luftën në Ukrainë kanë goditur rëndë pasurinë e miliarderëve rusë. Në librin e gazetares britanike Catherine Belton: “Njerëzit e Putinit: Si KGB-ja e rikapi Rusinë” – emri i Alexander Mashkevich përmendet disa herë për kontakte me njerëz të afërt me shërbimet e Kremlinit.

Megjithatë, pas luftës në Ukrainë, Eurasian Resource Group e drejtuar nga Alexander Mashkevich ndaloi eksportin e metaleve të hekurit nga Kazakistani drejt Rusisë, pasi kompanitë ruse Magnitogorsk Iron dhe Steel Works (MMK) hynë listën e sanksioneve të SHBA – ndërsa eksporti i aluminit për kompaninë ruse RUSAL nuk ndaloi.

Sipas Radio Evropa e lirë, miliarderi Alexander Mashkevich, i afërt i presidentit të Kazakistait, është një i dyshuar në një hetim të gjatë për ryshfet në Britani. Në vitin 2013, Zyra e Mashtrimit të Rënda në Britaninë e Madhe nisi një hetim penal ndaj kompanisë së tij, pas akuzave për ryshfet ndaj figurave politike afrikane. Po ashtu autoritetet belge e vunë Mashkevich nën hetim për një skemë shumë milionë dollarësh të pastrimit të parave me kompaninë Seabeco në vitin 2011. Ai ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje dhe nuk është dënuar.

Në një shkrim për median prestigjioze “Bloomberg” ai citohet si partner në një biznes ndërtimit edhe me kompanitë e ish presidentit të SHBA. Mashkevich dhe Eurasia Group thuhet se janë investitorë në Bayrock, kompania që drejtonte Felix Sater, që dyshohet se ka investuar në projektin Trump Soho si dhe të tjera të lidhura me Organizatën Trump.

Latest articles

Related articles