ANALIZA | Lufta dhe loja e kotë në PD

Fitim Zekthi

Kur sheh gjendjen e opozitës shqiptare mendon se ajo që ka thënë Stalini, një nga totalitaristët më gjakësorë dhe perversë në historinë e njerëzimit, se “idetë janë më të fuqishme se armët, ne nuk do t’i lëmë armiqtë tanë të kenë ide”, është gjëja e vetme që e përkufizon apo që ka fuqi për të shpjeguar atë që ndodh aty.

Partia Demokratike ka kohë që është në një krizë të tillë. Kjo gjë, mungesa e ideve, u bë më e dukshme pas krizës që u shfaq në shtatorin e 2021-it dhe erdhi duke u thelluar për të arritur aktualisht në një pikë kulmore.

Pse kanë rëndësi idetë, çfarë do të sillnin ato apo çfarë do të ndryshonin ato? Në fund të fundit, kushdo mund të lexojë diçka, ta marrë atë të shkruar dhe ta lexojë apo ta shprehë dhe ja ku janë idetë. Në të vërtetë, nuk është kështu. Kur njeriu bart ide, kur njeriu ka një mendim apo një pikëpamje mbi politikën, shtetin, fenë, taksat, ligjin, vdekjen, pronën etj., ai në thelb është një qenie që ka paraqitur një hartë, që lexohet përmes një harte, që kuptohet përmes kësaj harte.

Kjo hartë është vetë ai. Kjo hartë dhe ndjekja e saj përcakton edhe moralin që ai ka. Kjo hartë e bën atë të përgjegjshëm. Përmes kësaj harte ne kuptojmë nëse ai është një politikan serioz, përmes kësaj harte ne afrohemi dhe mbështesin një politikan duke parë nëse kjo hartë shëmbëllen me ato që ne besojmë, përmes kësaj harte ne kuptojmë nëse një politikan është gënjeshtar dhe mashtrues, është i keq dhe i vogël, është në politikë për idetë njerëzit apo është për vete, për epshin dhe oreksin e tij dhe vetëm për to.

Nëse rruga që tregon kjo hartë, nëse idetë që ka kjo hartë, nëse shenjat që ka kjo hartë nuk janë të harmonizuara dhe ndryshohen rrugës, nëse treguesit e kësaj harte nuk ndiqen, por shtrembërohen, nëse politikani ka inkonsistencë dhe inkoherencë me atë që është kjo hartë, ne kuptojmë se ai ka shkelur besimin e njerëzve.

Nga to kuptohet nëse ajo (partia) është serioze, nëse ajo synon të jetë e përgjegjshme dhe të mbajë përgjegjësi para njerëzve. Opozitat parimisht janë krijuar për të thënë të vërtetën, duke qenë se qeveria synon gjithnjë nën peshën e pushtetit të korruptohet dhe të mos e dëshirojë të vërtetën. Që një opozitë të thotë të vërtetën, ajo më së pari, duhet të jetë e vërtetë me veten e saj. Partia Demokratike, dhe sidomos grupi i saj parlamentar, kanë muaj të tërë që shfaqin inkoherenca të thella, inkonsistenca të pamendueshme. Shumë deputetë një herë thonë diçka, një herë tjetër thonë diçka tjetër. Që prej një viti e gjysmë shumë deputetë ndryshojnë mendim dhe qëndrim nga muaji në muaji, nga tre muajshi në tre muaj, por edhe nga java në javë.

E gjithë kjo tregon krizën e rëndë dhe mungesën e plotë të ideve. Mungesa e asaj hartës, e asaj trajektores, e bashkësisë së pikëpamjeve mbi politikën dhe jetën, mbi taksat dhe fenë, mbi pronën dhe ligjin bën që të jemi në këtë gjendje. Kur njeriu nuk ka një hartë të tillë, ai nuk ka në thelb asgjë për të ndjekur me besnikëri veç interesit të vet. Kur njeriu nuk ka një hartë të tillë ai mund të jetë në çdo pozicion politik siç mund të jetë edhe në çdo parti politike.

Gjithçka më pas është një instrument i tij për interes personal. Ideja politike e së djathtës, e djathta, ndryshe nga e majta, është zgjedhje, është bindje e brendshme. E djathta buron nga bindja se ekzistojnë themele apo premisa, burime transhendetale, të pashkulshme dhe të përjetshme nga ku ne i marrim pikëpamjet tona. Kjo gjë na çon te rrjedhoja apo mësime morale universale dhe të përjetshme mbi të mirën dhe të keqen. Kësisoj, idetë e djathta dallohen për forcë, për kurajë, për virtyt, për koherencë, për drejtësi me burim këto themele transhendetale.

Rrethanat mund të ndryshojnë ngjyrën apo nuancat e qëndrimeve dhe të ideve të djathta por kurrë thelbin. Idetë e djathta nuk kanë inkoherencë për atë që është e mira dhe e keqja, e drejta dhe e padrejta.

Në një pjesë dërrmuese të PD-së mbretëron ideja dhe qëndrimi se deputeti duhet të ndjekë qëndrimin e bazës, qëndrimin e popullit, se deputeti duhet të shkojë aty ku është baza apo se partinë e drejton baza. E drejta është zëvendësuar me thirrjet për bazën, e mira është zëvendësuar me thirrjet për bazën. Këto thirrje, ky arsyetim u kthye në mënyrën e vetme se si Foltorja kërkonte të shihte politikën, se si kërkonte të dominonte Partinë Demokratike. E drejta, e mira, e vlefshmja, e ligjshmja, e virtytshmja nuk ishin më kategori që do të drejtonin jetën e deputetëve apo të politikanëve. Shumë deputetë e panë këtë qasje si mjetin me anë të të cilit mund të shihnin interesat e tyre, mund të justifikonin qëndrimet e tyre që lëviznin vazhdimisht.

Edmund Burke, që është ndoshta mendimtari më me ndikim ose rrënja nga ku lind e rritet mendimi mbi të djathtën në vitin 1774 mbajti një fjalim para zgjedhësve në Bristol. Ai ishte deputet i Parlamentit të Anglisë. Ai foli aty mbi rolin e deputetit, mbi atë çfarë është dhe çfarë duhet të bëjë një deputet.

Ai tha se një deputet duhet të ketë komunikimin më të mirë me zgjedhësit, të jetojë në mënyrën më të përkorë, të sakrifikojë gjithçka për zgjedhësit, të rrijë pa gjumë dhe të rraskapitet për zgjedhësit. Ai tha se një deputet mund të vritet për të mbrojtur interesin e zgjedhësve të tij. Por tha Burke një deputet nuk mund dhe nuk duhet kurrë të sakrifikojë gjykimin e tij, mendimin e tij, vetëdijen e tij të brendshme për asnjë njeri, për askënd, për asnjë trupë zgjedhësish.

Vetëdija e tij, mendimi i tij, gjykimi i tij tha Burke janë dhurata prej Zotit, janë diçka që atij ia ka besuar Providenca dhe ato nuk mund të tradhtohen. Pra deputeti nuk ndjek në qëndrimet e tij atë që duan zgjedhësit, deputeti nuk duhet të mbajë qëndrimet që duan zgjedhësit dhe aq më pak të ndjekë qëndrimet që mbajnë shumica e zgjedhësve. Kjo tha Burke është një tradhti e lartë. Kështu do të duhet të sillej një deputet, aq më tepër një deputet i djathtë.

Që ai ta bëjë këtë duhet patjetër që të ketë ide, t’i besojë ato dhe t’i mendojë ato si dhuratë të Zotit. Ndoshta Grupi Parlamentar i PD-së nuk mund të brendësojë në mënyrë kaq burkeane idetë e djathta dhe as t’i ndjekë ato në mënyrë kaq burkeane dhe askush nuk ka pse e kërkon këtë, por kushdo pret që pjesa kryesore e grupit të ketë një bashkësi vlerash politike dhe morale që i ndjek me konsistencë, që i beson ato dhe që nuk mendon natë e ditë se si të avancojë interesin e vet, duke e shkatërruar kështu opozitën.

Shkatërrimi i opozitës nuk do t’u sjellë kurrë as atyre asgjë. Mbledhjet, intrigat, grupimet dhe antigrupimet se si të eliminojmë këtë dhe atë, frikërat nga “baza” apo joshjet nga “fituesi” janë gjëra që e tëhuajësojnë keq përgjegjësinë e deputetit. Kjo luftë apo kjo lojë e tyre është e kotë. Edhe Foltorja nuk ka të ardhme, edhe lojëra apo luftëra të tilla nuk kanë të ardhme. Trajektorja e gjërave ka një logjikë të sajën që përcaktohet nga logjika e shoqërisë shqiptare, nga logjika e dalektikës politike, nga logjika e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nga logjika e kohës që nuk kthehet pas.

Një Zot që është lart në qiell sheh gjithçka dhe nuk i jep kurrë sukses robit që tradhton në këtë mënyrë veten e tij dhe sigurisht gjithë popullin apo përgjegjësinë që ai ka para popullit. Ndërsa kur roli i Zotit mundohet me sinqeritet, brenda mundësive të tij, me këmbëngulje për të bërë mirë dhe të niset nga e mira, Zoti nuk e braktis kurrë dhe i jep atij sukses.

Latest articles

Related articles