Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehet se u ka kërkuar deputetëve të opozitës dhe mazhorancës që të votojnë projektligjet që ajo paraqiti ditën e djeshme lidhur me Koncesionet dhe investimet strategjike.
Nëpërmjet një postimi në facebook, Tabaku shkruan se këto propozime bazoheshin në rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë personale sa i takon koncesioneve të firmosura nga një person që mban post publik. Mes këtyre propozimeve ishte edhe skualifikimi nga gara për tender e kompanive të regjistruara offshore. Rritja e transparencës duke publikuar dokumentet e plota dhe të përhershme në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve/PPP-ve. Rritja e përgjegjësisë personale; çdokush që mban një post publik jo vetëm që duhet të mbajë përgjegjësi personale për veprimet por njëkohësisht edhe duhet të përgjigjet për veprimet dhe mosveprimet. Prandaj amendimet janë menduar për të forcuar edhe më tej përgjegjësinë personale, me parimin e forcimit të refuzimit të individit për të kryer një vepër korruptive. Forcimi i kontrollit të Raporteve Financiare. Çdo kompanie që kërkon të fitojë një Koncesion Publik duhet të publikojë dhe të vërtetojë se disponon së paku 50% të ardhurave të projektit dhe se burimi i atyre të ardhurave të jetë i ligjshëm”- shprehet Tabaku.
Ndërsa mes të tjerash, teksa theksoi se lufta ndaj korrupsionit duhet të kthehet në prioritet kombëtar, Tabaku përmend edhe rastin e Alda Klosit, duke u shprehur se drejtësia nuk duhet të presë që zyrtareve publike t’u zbulohen rastësisht paratë e fshehura.
“Lufta ndaj korrupsionit duhet të kthehet në prioritet kombëtar! Sot, nuk presim dot rastin të nxjerrë pagesat poshtë dyshekut të një ish zyrtareje; ose të bëhet statistikë. Ne duhet të udhëheqim dhe tregojmë përmes akteve qëllimet tona dhe synimet tona si opozitë për të dëshmuar ku dallojmë nga mazhoranca dhe mbi të gjitha qeveria”-përfundon Tabaku.