Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputetja e PD Tabaku u shpreh se synimi i ndryshimeve është për të zgjidhur problematikat që hasen në praktikë. Pasi evidentoi gjithë problemet që ka Shqipëria në lidhje me korrupsionin ajo evidentoi 4 pika kryesore që propozon të ndryshohet.
a. Rritja e transparencës duke publikuar dokumentet e plota dhe të përhershme në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve/PPP-ve.
b. Rritja e përgjegjësisë personale; çdokush që mban një post publik jo vetëm që duhet të mbajë përgjegjësi personale për veprimet por njëkohësisht edhe duhet të përgjigjet për veprimet dhe mosveprimet. Prandaj amendimet janë menduar për të forcuar edhe më tej përgjegjësinë personale, me parimin e forcimit të refuzimit të individit për të kryer një vepër korruptive. Synimet e amendimeve kanë për qëllim mbrojtjen e kësaj shtrese.
c. Forcimi i kontrollit të Raporteve Financiare. Çdo kompanie që kërkon të fitojë një Koncesion Publik duhet të publikojë dhe të vërtetojë se disponon së paku 50% të ardhurave të projektit dhe se burimi i atyre të ardhurave të jetë i ligjshëm.
d. Rritje e skrupolozitetit të luftës kundër pastrimit të parave; Shqipëria prej vitit 2019 është futur në listën gri të vendeve që hetohen dhe dyshohen për Pastrimin e Parave. Amendimet tona detyrojnë çdo subjekt tregtar për dorëzimin e një raporti të detajuar të të ardhurave dhe justifikimin e tyre sa herë që subjekti do të pajiset me leje ndërtimi apo çertifikatë përdorimi. Po kështu kemi kërkuar që të sanksionohen detyrimin e autoriteteve publike për verifikimin e dorëzimit të raportit të detajuar financiar si dhe ligjshërine. Burimit të të ardhurave.
Më pas Tabaku shpjegoi të 4 pikat e shtjelluara:
Për të shmangur problemin e krijuar ne kemi vendosur në fokus të ndryshimeve transparenca me publikun dhe detyrimi i Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve si institucioni përgjegjës për Regjistrin e koncesioneve/PPP që të publikojë një listë të përcaktuar dokumentesh, parandalimi i dhënies me koncesion apo PPP të fondeve publike ndaj qytetarëve të dënuar apo ndëshkuar për një set veprash penale ku përfshihen përveç të tjerash, korrupsioni, mashtrimi dhe pastrimi i parave.
Një tjetër element problematik i hasur gjatë analizës së ekspertëve ka qenë ajo e lidhur me zinxhirin e vendimmarrjes. Me të drejtë ndërsa kemi diskutuar me njohës të fushës, kemi vërejtur që shumë prej nënpunësve civilë por edhe administratës së lartë politike, ku ne mendojmë që është edhe burimi real i korrupsionit, kanë artikuluar përgjegjësinë kolektive si një premisë për të abuzuar me detyrën.
Kështu, në projektligj kemi forcuar akoma më tej mekanizmi kontrollues duke shmangur sa më shumë fshehjen pas përgjegjësisë kolektive dhe parashikimin në mënyrë eksplicite të përgjegjësisë personale të çdo nëpunësi që merr pjesë në një procedurë për dhënien e një koncesioni/PPP; këto ndryshime përmbajnë edhe mjete mbrojtësi sikundër miratimin e një koncesioni vetëm pas votës unanime të gjithë anëtarëve, mbajtjes në çdo rast të një procesverbali i cili mbi të gjitha të përmbajë argumentet e anëtarëve që votojnë kundër.
Synimi i këtyre ndryshimeve, mbi të gjitha, mbetet dhënia e një autoriteti të hallkës së mesme të zinxhirit vendimmarrës për t’i thënë “JO” një kërkese të qartë korruptive por njëkohësisht edhe për të qenë Ligji i tillë që e bën po të njëjtën hallkë përgjegjëse për vendimmarrje korruptive.
Gjatë hetimit të disa koncesioneve dhe PPP-ve të dhëna gjatë qeverisjes socialiste janë vërejtur se në shumicën e rasteve operatorët ekonomikë në çështjet që më pas janë kthyer në etalonë skandali dhe investigimesh edhe të mediave, rezulton që të kenë raporte financiare dhe bilance që nuk përmbushin asnjë kriter ekonomik apo financiar për të përfituar miliona euro të buxhetit të shtetit. Shtruar në Komision Hetimor, kjo çështje nuk gjeti asnjë zgjidhje ligjore dhe aq më pak administrative. Shqetësimi mbetet që ndonëse nuk ka një vullnet politik për të ndaluar koncesione të tilla, së paku të ketë një ndalesë të qartë ligjore.
Prandaj, kemi kërkuar në projektligj detyrimin e çdo operatori ekonomik që të dorëzojë Raportin Financiar, i cili provon se gëzon kapacitetet e nevojshme për realizimin e projektit. Kjo nënkupton se operatori ekonomik duhet të zotërojë të paktën gjysmën e kapitalit të nevojshëm për realizimin e projektit si dhe burimet e ligjshme të kësaj shume, të cilat duhet të jenë deklaruar në organet publike dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore. Autoriteti kontraktor me ndihmën e institucioneve ligj zbatuese të specializuara, kanë detyrimin e verifikimit të vërtetësisë së këtyre deklarimeve. Operatori ekonomik skualifikohet automatikisht nëse nuk arin të provojë burimin e ligjshëm të ardhurave.
Ndryshimet teknike që parashtrova më sipër janë të domosdoshme për të menaxhuar dhe mbajtur nën kontroll koncesionet dhe PPP që buxhetit të shtetit i kushtojnë mbi 2 mld euro dhe që vlera e kontratave të tyre ka shkuar rreth 50% e PBB-së sipas FMN. Shumica e kontratave koncesionare janë të tejmbushura me kosto të fryra, analizat e studimeve të fizibilitetit nga ana e KLSH por edhe ekspertëve të pavarur kanë vënë re se këto studime janë jo rrallë herë të stisura për të prodhuar kontrata që kanë kosto 3 fish më të larta se sa vlera fillestare dhe që më pas jepen pa garë e me paracaktim fituesi; ndërkohë që pas dhënies së tyre abuzimi vazhdon edhe më tej me fatura fiktive të paguara nga shteti.
Rasti i skandalit të inceneratorëve, rasti i check-up por edhe plot raste të tjera që janë denoncuar nga opozita dhe investigimet e medias kanë dëshmuar se sistemi dhe qeveria kanë çeduar pikërisht në pikat që kemi përmendur më sipër dhe që kemi propozuar të ndryshohen në Projektligjin që keni përpara jush.”