“Profesionisti” është premiera e cila do të shfaqet përgjatë fundjavës në teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Leka Bungo, njëkohësisht kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH e ka sjellë për nostalgji.
“Thjesht mesazhi dhe tema çka ajo trajton është shumë e përafërt me problemet e shqiptarëve sot dhe një nga çështjet që autori trajton në vepër, është çështja e persekucionit të shqiptarit gjatë regjimit komunist , persekucionit në të gjitha përmasat, terrori që njerëzit provuan gjatë atij sistemi, përndjekja hap pas hapi, këmbë pas këmbe e njerëzve të ndershëm, për të cilin vetëm dyshohej, kjo është një nga temat kryesore të cilin autori me mjeshtëri e ka sjellë në këtë vepër artistike,” – u shpreh Bungo.
Për herë të parë në teatrin e Vlorës, aktori Viktor Zhusti, vjen me një karakter ndryshe, ndërsa tregon se çfarë e lidh dhe ku ndahet me personazhin.
Ai shtoi se drama ka shumë për ti thënë Vlorës.
“Është një dramë që do ti thotë edhe Vlorës pas çlirimit, edhe Vlorës së 97- ës, do ti thotë edhe Vlorës sot. Në Vlorë ngjarjet janë përjetuar në mënyrë shumë më intensive sesa në qytetet e tjera,” – tha aktori.
“Profesionisti” një vepër e dramaturgut serb Dushan Kovaceviç, është një komedi e trishtë, bazuar mbi dialogun, personazhet dhe ngjarjen, nuk ka efekte nuk ka zhurmë, e gjitha bazohet mbi tekstin dhe nëntekstin që ajo përçon.
Me regji të Leka Bungos, nën interpretimin e shkëlqyer të aktorëve Viktor Zhusti, Astrit Hasani, Matilda Avduli dhe Artan Islami, premiera do të shfaqet në teatrin Petro Marko, të premten datë 20 janar, për të vijuar përgjatë gjithë fundjavës.