Pjesa më e madhe e qyteteve të Shqipërisë u tronditën mbrëmjen e së dielës nga një tërmet i fuqishëm, me magnitudë 4,7 i shkallës rihter, epiqendra e të cilit u regjistrua në fshatin Xibër të Klosit, 24 kilometra nga kryeqyteti.
Lëkundjet e fuqishme të tërmetit shkaktuan dëmtime të lehta në mbi 20 banesa në zonën e Klosit, ndërsa fatmirësisht, nuk pati raportime për persona të lënduar.
Tërmeti i parë, i cili u regjistrua në orën 22:37 të mbrëmjes së të dielës, fillimisht u raportua me magnitudë 5,24 rihter nga Qendra Europiane e Sizmologjisë, por më pas u saktësua në 4,7 i shkallës rihter. Vetëm pak minuta nga tërmeti i fortë, një tjetër lëkundje me magnitudë 4,1 rihter.
Ndërkohë, 24 orë nga tërmeti i së dielës, në të njëjtën zonë janë regjistruar të paktën 30 lëkundje me magnitudë 2 të shkallës rihter, të cilat nuk kanë krijuar dëme. Sizmologët thonë se zona do të jetë aktive për disa kohë deri në çlirimin e plotë të energjisë. Këtë periudhë i gjithë rajoni është përfshirë nga një valë tërmetesh dhe sipas sizmologëve tashmë kemi hyrë në dhjetëvjeçarin me aktivitet të shtuar sizmik.