Nga Jorida Tabaku
Sot nis sesioni i ri parlamentar i cili është një sfidë reale për ta përdorur politikën në shërbim të shqetësimeve të qytetarëve dhe jo shqetësimet e qytetarëve për luftën pa kuptim të së përditshmes politike.
Përballë një qeverie që sot është e mbuluar nga skandalet, përballë një sistemi që po prodhon rrënim moral e politik, gjithmonë kam menduar që vlen oferta. Si?! Gjatë këtij sesioni unë do të angazhohem të çoj përpara nisma ligjore që kanë për synim:
1. Luftën kundër korrupsionit duke dërguar në komisione parlamentare paketën anti-korrupsion me 7 ligje të propozuar nga Partia Demokratike.
2. Luftën kundër monopolizimit të tregut duke luftuar në Gjykatën Kushtetuese për zhbërjen e ligjeve që ngrenë borde si ai i naftës dhe ushqimeve.
3. Luftën për mobilitetin social përmes integrimit të ligjeve dhe nismave që këshillohen nga progres raporti i BE që mundësojnë mobilitetin social.
4. Luftën kundër sistemit të pandershëm të politikave fiskale ku në qendër nuk janë qytetarët por oligarkët.
5. Procesi i integrimit të vendit në BE duhet të jetë një proces kombëtar që prek dhe revolucionarizon jetën e qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë.
Ky do jetë realisht një vit i vështirë, ku situata ekonomike do të godasë xhepat e familjeve shqiptare. Koha të ndryshojmë fytyrën e një vendi që nuk ka përse emigron në Europë kur mund dhe duhet të ndërtojmë Europën këtu!
Koha është që të ndërtojmë një politikë e cila ndihmon zgjidhjen e shqetësimeve të shqiptarëve! Koha ta kthejmë parlamentin në arenë debati politik e jo arenë ku hidhet baltë e llum! Politika duhet të jetë ndryshe!
Koha të nisim të ndërtojmë Europën këtu!