MEDIA & DISKRIMINIMI GJINOR

Autor: Bisej Kapo / Koalicioni “Bashkë për Fjalën e Lirë”

Barazia gjinore, përveçse është një e drejtë themelore e njeriut, është thelbësore për arritjen e shoqërive paqësore.  Ka ende rrugë për të bërë për të arritur barazinë e plotë të të drejtave dhe mundësive mes burrave dhe grave. Prandaj, është e rëndësishme t’i jepet fund formave të shumta të dhunës me bazë gjinore dhe të sigurohet akses i barabartë në arsim dhe shëndetësi, burime ekonomike dhe pjesëmarrje në jetën politike për gratë dhe vajzat njëlloj si burrat dhe djemtë. Është gjithashtu thelbësore që të krijohen mundësi të barabarta në akses, në punësim dhe në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse në të gjitha nivelet, por mbi të gjitha të eliminohet trajtimi i grave dhe vajzave në fomë diskriminuese duke i objektifikuar dhe duke përdorur një gjuhë seksiste.

 

Media, sidomos në vendet e ballkanit dhe specifikisht në Shqipëri, është duke luajtur një rol thelbësor në promovimin e kulturës së patriarkatit dhe të objektifikimit të gruas. Kjo në dy aspekte, nga njëra anë shkrimet, artikujt dhe kronikat në mediat tona nuk kujdesen të artikulojnë në mënyrë etike çështjet e përdhunimeve dhe dhunimeve, dhe nga ana tjetër promovimi i rolit të gruas për shkak të trupit apo paraqitjes së saj. Gjithnjë e më shumë në programet tona televizive ka një tendencë drejt seksizmit që është primitive dhe përforcuese e steriotipeve të roleve gjinore.

 

Në rastin e parë, bazuar në të dhënat që BIRN ka analizuar mes janar 2020 dhe prill 2022, ka konstatuar 320 raste që kanë lidhje me abuzimin seksual në të cilat identifikohet viktima, familja, zbulohet adresa e shtëpisë ose publikohen informacione të tjera personale. Raportimet e dhunës në familje gjatë së njëjtës periudhë dëshmojnë se në 142 artikuj ku përpiqeshin drejtpërdrejt ose tërthorazi të justifikonin dhunën dhe 364 artikuj që zbulonin të dhënat personale të viktimave, foto dhe/ose video të tyre. Në televizion, 32 programe gjatë së njëjtës periudhë përfshinin intervista me fëmijë viktima të abuzimit seksual ose anëtarë të familjeve të tyre dhe transmetuan detaje të rasteve.

 

Në rastin e dytë, seksizmi, ndodh më së shumti në programet televizive ku të ftuar janë personazhe të “shquar”, “intelektualë” të sferës publike, por mbi të gjitha në ato programe që shihen më së shumti nga të rinjtë. Gjuha seksiste është shprehje e maskulinitetit dhe shëmbëlltyrë e patriarkalizmit shoqëror, por mbi të gjitha është një shprehje e dhunës me bazë gjinore. Kjo formë komunikimi përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe përjetohet nga gratë e vajzat vetëm për arsyen se janë të gjinisë femërore.

Për hir të një argëtimi mediokër shpesh dhe rëndom në ekranet tona indoktrinohemi me shfaqje seksiste të cilat vishen me idenë e shakasë duke e kthyer në Normale një sjellje të tillë. Për të ilustruar këtë “normalitet” absurd kemi kapur dy sekuenca në dy emisione të ndryshme për të nxjerr në pah Objektifikimin dhe Seksizmin që media promovon.

Latest articles

Related articles