Djali i bosit të vjetër mafioz të Castelvetrano (Trapani) Ciccio, aleat historik i Corleonesi të Toto’ Riina, ai kishte qenë i arratisur që nga vera e vitit 1993, kur në një letër që i kishte shkruar të dashurës së tij në atë kohë, Angela, pas masakrave mafioze në Romë, Milano dhe Firence, paralajmëroi: “Do të dëgjoni për mua – i shkruante ai, duke lënë të kuptohet se ishte i vetëdijshëm që menjëherë pas kësaj emri i tij do të lidhej me gjakderdhje të rënda.“Ata do të më pikturojnë si një djall, por të gjitha janë gënjeshtra”* shkruante asokohe.
Matteo Messina Denaro, kopja e përkryer e mësuesit të tij, Toto Riinës
Pas arrestimit të Bernardo Provencanos, Salvatore dhe Sandro Lo Pikolos, u duhej ta ndanin pushtetin me një tjetër eksponent të lartë të qarqeve mafioze të quajtur Mateo Mesina Denaro. Tani prania e tij ndihet si kurrë më parë në “Cosa Nostra”. Madje, më shumë se kaq, ekspertë e njohës të shumtë të mafies shprehen se ai luan prej vitesh rol të dorës së parë në politikën dhe jetën e mafies.
Lufta për pushtet
Që përpara arrestimit, të Bernardo Provencanos, kreut të organizatës italiane “Cosa Nostra”, autoritetet italiane e dinin mirë se në qarqet e rëndësishme të mafies, sidomos asaj siciliane, po zhvillohej një luftë shumë e ashpër për pushtet. Provencano shihej nga mafiozët e rinj si i lodhur, pa energjinë e duhur dhe i mefshtë. Kritikohej sidomos për prirjen e fortë për t‘i qëndruar larg dhunës dhe për adoptimin e mënyrës së të vepruarit nën rrogoz, duke shmangur çdo lloj përballjeje me shtetin, megjithëse një politikë e tillë kishte rezultuar mjaft e suksesshme vitet e fundit. Sipas ekspertëve të mafies, prej kohësh bosi i moshuar e kishte parë pushtetin t‘i lëkundej nën trysninë e një bosi të ri, ndërkohë që janë jo pak ata që mendojnë se betejën për dominimin absolut të “Cosa Nostra”-s Provenzano e kishte humbur që përpara se të arrestohej. Njeriu që po ia zhvaste nga duart pushtetin suprem quhet Mateo Mesina Denaro, një mafioz i ri e i pamëshirshëm, i aftë të mos ndalej përpara asgjëje për t‘u ulur në fronin e “Bosit të Bosëve” të shekullit XXI. Mesina Denaro është një kopje e përkryer e mësuesit të tij, Toto Riinës. Tmerrësisht i dhunshëm, mizor në ekstrem, ai nuk trembet nga askush dhe mbi të gjitha zotëron zgjuarsinë e nevojshme për të mos rënë në duart e ligjit. Gjithashtu zotëron një nuhatje të pazakontë në zbulimin e bizneseve fitimprurëse. Arriti të krijojë një pasuri të pallogaritshme me trafikun e drogës e me anë të zhvatjes përmes kërcënimit. Në trafikun e drogës, karriera e tij u zhvillua me hapa marramendëse. Në pak vite, nga një trafikant i vogël, u kthye në një shpërndarës me peshë të rëndësishme në qarqet e narkotrafikut botëror.
Sipas FBI-së, Denaro është një nga shpërndarësit më të mëdhenj në botë. Duket se mban lidhje të afërta me më shumë se një nga lordët kolumbianë të drogës.
Identikiti
Mbi Mateo Mesina Denaro, që nga çasti i hedhjes në fshehtësi, në vitin 1993, dihen shumë pak gjëra. Jeton në pasivitet në ndonjë nga malet e Siçilisë, apo fshihet diku jashtë Italisë duke drejtuar me dorë të hekurt bizneset e shumta të “Cosa Nostra”-s. Askush nuk e di përgjigjen, ndërkohë që prania e tij ndihet si kurrë më parë në “Cosa Nostra”, që është kreu i organizatave kriminale italiane ku bëjnë pjesë Kamorra napolitane, Ndrageta Kalbreze dhe Sakra Korona Unita e Puljas.
Bosi i ri
Jeta e mafiozëve italianë është një klishe e madhe dhe e tillë është edhe për Mesina Denaron. Ai lindi më 26 prill të vitit 1962 në Kastelvetrano, një qytet pranë Trapanit. Ishte pikërisht periudha kur klanet mafioze po shtonin ndjeshëm fuqinë dhe influencën e tyre. Rasti më tipik është ai i klanit të Korleones. Në këtë kohë, mafia amerikane dhe ajo siçiliane bashkëpunuan në trafikun e heroinës, që u solli të dyja palëve fitime kolosale. Ishulli i Siçilisë kontrollohej plotësisht nga të ashtuquajturit “Burrat e nderit”, termi me të cilin identifikoheshin mafiozët. Popullsia vendase nuk e kundërshtonte aspak këtë kontroll, pasi e shihte ‘Cosa Nostra‘-n si organizatën që e mbronte nga shteti italian, të cilin e konsideronin si pushtues. Në këtë atmosferë u rrit edhe Mateo Denaro Mesina. Babai i tij, Françesko, ishte gjithashtu një “burrë nderi” dhe me kalimin e kohës u bë “kapo” i krahinës së Trapanit, njëkohësisht edhe një nga njerëzit më të besuar të Toto Riinës.
Mafiozi i talentuar
Nuk shkoi shumë gjatë dhe ai vuri re me kënaqësi se i biri ishte i talentuar. Sipas të përjavshmes italiane “L‘Espresso”, ai mësoi ta përdorte pistoletën në moshën 14-vjeçare dhe katër vjet më pas kreu vrasjen e parë. Por kjo nuk do të ishte e fundit. Thuhet se Denaro ka vrarë rreth 50 njerëz dhe se është shumë krenar për një fakt të tillë. “Kam mbushur një varrezë të tërë”, thuhet se është shprehur duke u mburrur.
Beteja me autoritetet
Viti 1993 do të ishte një vit i shënuar në historinë e mafies siçiliane. Gjatë tij u zhvillua një takim midis krerëve të mafies ruse dhe krerëve të “Cosa Nostra”-s. Por shteti italian mori masa drastike duke arrestuar dhjetëra mafiozë. Gjithashtu u morën masa të ashpra në administratë, e cila kishte qenë objekt infiltrimi nga elementë që punonin për llogari të “Cosa Nostra”-s. Por ata që e dëmtuan më shumë këtë organizatë ishin “të penduarit”. Kulmi i suksesit të qeverisë italiane në luftën kundër mafies arriti me arrestimin e kreut të saj, “Bosit të Bosëve”, Toto Riinës. Por ky ishte një vit shumë i suksesshëm edhe për Mateo Mesina Denaron. Gjatë këtij viti, tashmë 31 vjeç, ai arriti të bëhej pjesë e “Supercosa”-s. “Supercosa” është një grup i përzgjedhur bosësh, të cilët janë në dijeni të çdo aktiviteti të “Cosa Nostra”-s. Sapo zuri një vend në zonën e të fuqishmëve, ai do të niste një “luftë të drejtë kundër shtetit italian”. Në vitin 1993 bomba shpërthyen në Romë, Firence dhe Milano. Kisha katolike ishte një ndër objektivat kryesore. Koordinatori i këtyre sulmeve ishte pikërisht ai, Mateo Mesina Denaro. Ai nuk mjaftohet t‘i dërgojë trupat e tij kundër kishës, departamentit të drejtësisë dhe stacioneve të policisë, ai kërkon t‘i japë një mesazh të qartë edhe shtypit. Me urdhrin e tij u ekzekutua një numër i madh gazetarësh, të cilët mendohej se ishin shtyrë shumë thellë në misterin e “Cosa Nostra”-s. Drejtësia Italiane filloi të kuptonte se arrestimi i Toto Riinës dhe i mafiozëve të tjerë nuk e kishte destabilizuar “Cosa Nostra”-n. U vu re edhe që një djall i vërtetë kishte bërë përpara në radhët e saj.
Hedhja në fshehtësi
Mbreti i ri i “Cosa Nostra”-s hidhet në fshehtësi në vitin 1993, pasi Xhovani Bruska, një i penduar shumë i rëndësishëm, thyen kodin e heshtjes dhe u tregon autoriteteve gjithçka dinte për djaloshin ambicioz. Denaro u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm, gjë që nuk e ndalon aspak të vazhdojë aktivitetin e tij. Ai e shfrytëzon pakënaqësinë që kishin mafiozët në lidhje me mënyrën me të cilën operonte Provencano, kreu i fundit i njohur i “Cosa Nostra”-s, në favor të tij. Në përgjithësi mafiozët nuk ishin të kënaqur me sistemin “nën rrogoz” që kishte adoptuar bosi i mafies siçiliane, njeriu që zuri vendin e Toto Riinës, Bernardo Provencano. Provencano vendosi që mafia të rimerrte fuqinë pa u ndjerë dhe pa sulme e gjakderdhje të bujshme: “Pse të rrezikojmë të humbasim lidhjet dhe kontaktet me politikën, duke bërë akte të zhurmshme, kur mund të punojmë fare të qetë nën hije”? Dhe kjo mënyrë operimi i solli shumë përfitime “Cosa Nostra”-s. Paratë filluan sërish të burojnë nga të gjitha anët, pikërisht si dikur, duke rihapur mundësinë për korruptimin e politikanëve të lartë. Por kjo politikë krijoi idenë se Provencano ishte i dobët dhe i paaftë të përdorte dhunë. Pikërisht për këtë dobësi Denaro dhe ndjekësit i kërkuan Provencanos të bënte mënjanë dhe t‘u linte atyre rrugë të lirë. Me ç‘dihet, Provencano dhe Denaro nuk kanë pasur asnjëherë marrëdhënie të mira. Kur i preferuari i Toto Riinës, në vitin 1993 do të bëhej pjesë e “Supercosa”-s, Provencano bëri të pamundurën për ta ndaluar një gjë të tillë. “Denaro e rrezikon seriozisht qëndrimin e tij në fron”, do të shprehej një hetues në atë kohë, për të shtuar se “Provencano e di shumë mirë një gjë të tillë, sepse nuk pranon në asnjë mënyrë të takohet me të. Ka frikë se mos e vras”.
Përballja mes brezave
Ardhja e Denaros në fuqi do ta rikonfiguronte rrënjësisht organizatën kriminale më të fuqishme në botë. Klisheja e bosit të moshuar mafioz që e drejton perandorinë e tij nga një fermë e humbur mes malesh, do t‘ia linte vendin një klisheje të re të stilit të Sopranove. “Bosët e vjetër i kanë akoma duart me baltë”, do të thoshte një hetues për një revistë amerikane, “ndërsa Denaro nget një ‘Porche‘, pëlqen kompjuterët dhe librat humoristikë. Është jashtëzakonisht shumë i pasur, bën një jetë të shthurur dhe është shumë i dhënë pas femrave. Një ‘play boy‘ i vërtetë…”. Gjëra të tilla do të dukeshin të pamundura në kohën e bosëve të vjetër, por duket se kohët kanë ndryshuar. Megjithatë do të ishte e gabuar të mendohej se Denaro dhe pasuesit e tij janë një tufë kriminelësh psikopatë, pasi ai ka treguar se është një strategjist i shkëlqyer me një dëshirë të papërmbajtur për pushtet.