Papa Françesku: familja, vendi që mirëpret dhe kujdeset për të gjithë

Zoti i dëgjon lutjet tuaja për paqe: kështu u tha Françesku 700 fëmijëve dhe të rinjve të Bashkësisë Papa Gjon XXIII, themeluar nga Don Oreste Benzi, pritur sot në mëngjes në Sallën Pali VI: në “shtëpitë tuaja familje – kujtoi – edhe ata që nuk kanë strehë, e gjejnë një atë e një nënë!”.

R. SH. – Vatikan

“Faleminderit don Oreste!”. Papa Françesku e përsëriti me zë të lartë së bashku me fëmijët dhe të rinjtë, që i takoi në Sallën Pali VI dhe që në këtë takim përfaqësuan “familjen e madhe të Bashkësisë Papa Gjon XXIII”. Faleminderit që “i dhatë jetë këtij realiteti të bukur”. Realitet i mikpritjes në familje të vërteta, ku një babë dhe një nënë i kushtohen ditë-natë të miturve dhe njerëzve në vështirësi, pa bërë asnjë dallim.

Zoti e njeh secilin me emër

Pak kohë më parë, lidhur me audiencën, Papa pati marrë rrëfimet dhe pyetjet e disa të rinjve dhe vëren se secili prej tyre është paraqitur me emrin e tij.  E Françesku komenton: “Kështu dëshiron Zoti, i cili e njeh secilin prej nesh me emër”. Komenton e vazhdon:

“Ne nuk jemi tëpaemër, nuk jemi fotokopje, jemi të gjithë origjinalë! Dhe kështu duhet të jemi: origjinalë, jo fotokopje, siç thoshte i Lumi Carlo Acutis, një djalë si ju. Zoti na njeh një për një, me emrin tonë, me fytyrën tonë, që është unike. Sigurisht, edhe ne kemi kufizimet tona; disa prej nesh, për fat të keq, duhet të durojnë kufizime të rënda. Por kjo nuk e ul vlerën e njeriut: të gjithë janë unikë, bij a bija të Zotit, të gjithë janë vëllezër apo motra të Jezusit, por unikë”.

Dashuria e Zotit na bën të rritemi plotësisht

Një bashkësi e krishterë, që i shikon njerëzit në këtë mënyrë, na ndihmon ta shohim secilin – pohon Papa – me të njëjtin sy që na shikon Zoti, me vështrim dashurie. Zoti shikon në zemrën tonë dhe tek ne ai sheh Jezusin, Birin e tij:

“Jezusi është njeriu i përsosur, e dimë, është përsosuria njerëzore, e dashuria e Zotit na bën të rritemi drejt kësaj mase të plotë, drejt përsosurisë. Ne e dimë se do ta arrijmë atë vetëm në Parajsë, por tashmë në këtë jetë dashuria na bën të pjekur në këtë mënyrë. Është pak si fara që mbin dhe rritet në fushë me ndihmën e shiut dhe të diellit, zhvillohet dhe bëhet, për shembull, kalli i bukur gruri”.

“Shtëpitë familjare” të dëshiruara nga don Oreste

Ka shenja të ndryshme – vijoi Françesku – që tregojnë kur mirëpritet njeriu me dashuri. Një prej tyre është buzëqeshja. Buzëqeshja thotë se ai djalë apo vajzë “ndihet i dashur, i mirëpritur, ashtu siç është”, dhe për këtë buzëqeshje flasin historitë e të vegjëlve të mirëpritur nga Bashkësia. Papa shkon te përvoja që shumë prej të pranishmëve e kanë të përbashkët, ajo e shtëpisë familjare dhe kujton se ky realitet ka lindur “nga mendja dhe zemra e Don Oreste Benzit”:

“Ai ishte prift që i shikonte fëmijët dhe të rinjtë me sytë e Jezusit, me zemrën e Jezusit dhe duke qenë pranë atyre që silleshin keq, që ishin shpërndarë, kuptonte se atyre u mungonte dashuria e babait dhe e nënës. dashuria e vëllezërve”.

Papa e përfundoi bisedën duke i ftuar fëmijët dhe të rinjtë  të takohen çdo të dielë online, për ta thënë së bashku Rruzaren:

“Dëshiroj t’ju them: lutjen tuaj për paqen, edhe pse nuk duket, Zoti e dëgjon; e ne besojmë se Zoti dhuron paqen, menjëherë, sot! Zoti na e jep, po na takon ne pastaj  ta mirëpresim në zemër e në jetë. Të jeni të sigurt  se Zoti e dëgjon lutjen tuaj, e shkoni përpara me guxim!”.

Latest articles

Related articles