BIG BROTHER 1 – “ELITA” 0 – Avokati Lapaj analizon fenomenin

Nga Adriatik Lapaj

Shoqëria prej nga kur nisi që belbëzimeve tu japë kuptim e t’i quajë fjalë ka pasur në qendër të vetë rivalitetin…garën…për ushqimin, vendin e strehimit më të mirë, partnerin/eren, armën më vrastare, vëmendjen, pushtetin…

Demokracia si formulë politike rezultoi si burimi më i sigurt që gjeneronte mekanizmat e duhur për të futur në shinat e rregullave aspiratat e njeriut për të gjitha sa rendita më sipër. Mekanizmi kryesor i sistemit demokratik u gjet të ishte GARA.

Kudo ku shoqëritë i ikin garës, një mutacion i dëmshëm ndodh herët ose vonë. Sigurisht që gara dhe demokracia ka problemet e veta, por siç thoshte Winston Churcill, “Demokracia është sistemi më i keq i mundshëm, përveç të gjitha sistemeve të tjera qeverisëse që kemi njohur deri tani”.

Në shoqëritë ku gara vritet deri në përçudnim (si në Shqipëri), masat do e kërkojnë atë (ndjenjën që jep gara) në aspekte që mund të duken dhe të çuditshme. Përshembull në një shtëpi ku hanë, zihen, pajtohen dhe kryejnë nevojat e veta disa njerëz nën vëzhgimin e kamerave.

Janë ndarë njerëzit në grupe mbështetësish në atë pikë sa u harrua dhe zyrtarja që ju vodhën shumë para, dhe pastruesja që kishte aq para sa nuk i ëndërron me punë askush, dhe çmimet e larta të miellit, orizit, fasules, vajit, naftës, dhe 400 milionët e incerenatorëve, dhe mungesa e ilaçeve në spitale, dhe lufta në opozitë për vulën, dhe zgjedhjet që po vijnë…dhe…dhe…dhe…

Shoqëria do garë, do t’i kanalizojë energjitë e veta. Nuk e ka fajin as televizioni, as ata që janë aty brenda, as këta që bëjnë tifozllëk…e ka fajin mungesa e garës, pra “Elita” e korruptuar që u ka vjedhur Shqiptarëve kënaqësinë dhe të drejtën për të ndjekur garën që do u ndryshonte realisht jetën, pra garën politike.

P.s dhe hiqeni atë shprehjen “unë nuk e ndjek, po e pashë rastësisht”…asgjë nuk ka ta ndjekësh po ke kohë.

Latest articles

Related articles