Katër shtetas shqiptare, ekuipazh të anijes së peshkimit “Genti”, dhe disa shtetas të tjerë të një anije nga Libia, janë arrestuar në kushtet e flagrancës nga Policia e Shtetit. Ata akuzohen për kapjen e 60 tonëve naftë që po hynte kontrabandë në Portin e Durrësit.
Në operacion veç disa prej agjencive policore shqiptare, është përfshirë dhe Guardia di Finanza italiane. Për 48 orë janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe janë mbajtur nën vëzhgim dy anijet e peshkimit, pasi “pazari” është bërë në mes të detit.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 2 anijet e peshkimit, konkretisht anijen shqiptare “Geni” dhe anijen libane “ABOBAKR 124”, të cilat në përfundim të veprimeve të para hetimore u sekuestuan në cilësinë e provës materiale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 62.000 litra naftë pa dokumentacionin përkatës.
Në vijim të veprimeve hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, më datë 12 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes “Geni”, konkretisht:
Q., 31 vjeç, K. K., 30 vjeç, S. G., 65 vjeç, banues në Durrës dhe M. E., 50 vjeç, shtetas i huaj.
Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Po në vijim të veprimeve operacionale dhe hetimore, më datë 13 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve të huaj, pjestarëve të ekuipazhit të anijes libiane “Abobakr 124”, e cila dyshohet se ka furnizuar me naftë të kontrabanduar anijen shqiptare, konkretisht shtetasit:
A., 48 vjeç, A. Z., 34 vjeç, A. A., 32 vjeç, S. N., 38 vjeç, M. M., 61 vjeç, E. K., 34 vjeç, I. A., 34 vjeç, A. H., 43 vjeç dhe A. B., 55 vjeç.
Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabande” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”.