PS rrëzon nismën për komision hetimor ndaj kryeministrit Edi Rama

Deputetët socialistë vendosën në Konferencën e Kryetarëve për rrëzimin e kërkesës së deputetëve të opozitës për hetim parlamentar lidhur me shpenzimet e udhëtimeve me avion çarter të kryeministrit Edi Rama, si dhe paralajmëruan ndryshime ligjore për ngritjen e komisioneve hetimore.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i cilësoi kërkesat e opozitës “të pakufijshme”, por shtoi se mazhoranca po planifikonte të bënte ndryshime urgjente në ligjin për komisionet hetimore parlamentare si pasojë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. “E vërteta është që kërkesat e opozitës janë të pakufijshme në të drejtën e tyre për të propozuar, por kjo nuk do të thotë që edhe ne nuk kemi të drejtë t’i shqyrtojmë,” theksoi kreu i deputetëve socialistë.

Sipas Ballës, në Konferencën e Kryetarëve pati dakordësi që Kuvendi të adresojë “në mënyrë urgjente dhe të menjëhershme” vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që kanë lidhje me ligjin për organizimin e komisioneve hetimore. Por përfaqësuesit e opozitës duket se kanë pritshmëri të ndryshme nga mazhoranca për ndryshimet e pritshme ligjore. Deputetja Jorida Tabaku e cilësoi mohim të një drejtë ligjore të deputetëve për hetim parlamentar, vendimin e Konferencës së Kryetarëve. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep të drejtë opozitës që të ngrejë një komision dhe gjendet dakordësia vetëm për objektin e punës së komisionit hetimor,” tha Tabaku.

Deputetja e PD-së Tabaku gjithashtu pranoi se ligji ka nevojë për ndryshime dhe shtoi se PD ka depozituar propozimet e saj më herët ne Kuvend. Deputetja e Partisë Demokratike në një deklaratë për gazetarët nga kryesia e Kuvendit tha se ka kërkuar që seanca plenare që zgjasin në Kuvend të evitohen dhe mos të kthehen në noteri për qeverinë. “Parlamenti duhet të ketë një rregullsi nuk mund të kthehet në noter të qeverisë. Kërkova që të evitohen seancat që zgjasin. Duhet të jetë në funksion të punë së deputeteve dhe jo në funksion të punës së qeverisë. Ne nuk mundet që të diskutojmë ato që ka prioritet qeveria, por ato që kanë parlamenti dhe qeveritarët. Vijnë aktet normative, vijnë ligje që u kërkohet komisioneve të diskutohen brenda 48 orëve. Rasti më i fundit ishte i portit të Durrësit që nuk patëm koha ta diskutonim.

Hodhi poshtë kërkesën time për ngritjen e një komisionin hetimor për fluturimet me Charter të Ramës. Besoj të gjithë jeni njohur me një vendim të GJK-së duke pasur si synim kontrollin mbi zbatimin e ligjit për investitorët strategjikë”- u shpreh Tabaku. Kërkesa e firmosur nga 35 deputetët e PD-së kishte si objekt hetimor “verifikimin e ligjshmërisë së shpenzimeve të udhëtimeve jashtë shtetit të kryeministrit Edi Rama nga data 10 shtator 2013 deri në 31 tetor 2022”. Duke marrë shkas nga publikimi i të dhënave për 137 udhëtime me çarter të kryeministrit në këtë hark kohor, PD hedh dyshime për keqpërdorim të parave publike dhe mungesë transparence nga ana e qeverisë për shpenzimet e kryera.

Latest articles

Related articles