Nga Sebastian Zonja
Me ardhjen në pushtet të Leninit në Rusi, më 1917-ën, Kominterni filloi të shpërndante para dhe të trajnonte njerëz për të ndërmarrë revolucione nëpër botë. Sipas të dhënave, janë rreth 26 vëllime me dokumente që tregojnë se cilët janë financuar nëpër botë për të kryer këto revolucione. Nuk mungojnë as pagesa për shqiptarët në Ballkan.
Në nëntor të vitit 1927, me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit Socialist të Tetorit, në Moskë u organizua Kongresi i miqve të Bashkimit Sovjetik. Fan Noli, një nga personazhet më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, kryeministër dhe kryepeshkop, mori pjesë në ketë Kongres si anëtar i delegacionit që përfaqësonte popujt e Ballkanit. Një veprim që ndonëse nuk është bërë shumë publik, shihet si anë jo shumë e qartë në aktivitetin e tij politik.
Më vonë, në vitin 1930, shërbimi sekret rus “NKVD”, merr nën patronazh Ali Kelmendin. Ai cilësohet ndër personat e parë që solli në Shqipëri idetë komuniste ruse. Në vitet ’30, pas disa viteve emigracion në Rusi, Kelmendi vjen në Shqipëri duke sjellë me vete edhe idetë bolshevike. Kelmendi cilësohet si njeriu që në mënyrë jozyrtare bëri lidhjet e para të vendit tonë me Bashkimin Sovjetik.
Më vonë, kur filiali filosovjetik brenda nacionalçlirimtarëve fitoi luftën në Shqipëri, më 1945-ën, fillojnë marrëdhëniet zyrtare dhe diplomatike me Rusinë. Ambasadori i parë i yni në Bashkimin Sovjetik të pasluftës ka qenë Koço Tashko, i diplomuar në Harvard. Ai ishte një nga drejtuesit e Partisë Komuniste dhe u vendos në këtë post për shkak të rëndësisë që kishin marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik.
Listpagesa e Kominternit për agjentët në Shqipëri vijoi edhe pas prishjes me sovjetikët, ku pagat merreshin në ambasadën bullgare apo hungareze, thonë nën zë njerëz të ish-Sigurimit të dikrushëm të Shtetit. Dhe kishte disa emra të lartë në hierarkinë shtetërore që merrnin pagesa nga Kremlini.
Studiues të mirë të Rusisë, ndër të cilët Mark Galotti, Anne Applebaum apo Janusz Bugajski, shkruajnë se Rusia post-sovjetike nisi të përdorte një skemë tjetër për të mbajtur gjallë agjenturën e saj nëpër botë, por ajo që na intereson ne është Ballkani.
Së fundmi, alarmin për grupin “Wagner” rus që rekruton në Serbi ushtarë për në Ukrainë e dha edhe diplomati i lartë amerikan D. Chollet. Duhet sjellë në vëmendje edhe tentativa për grusht shteti në Mal të Zi, që amerikanët akuzuan shërbimin sekret rus, por edhe lista e zezë amerikane për grupet kriminale në Mitrovicën e veriut, për serbë të lidhur me agjenturën e Beogradit dhe atë ruse. Së fundmi, faqja e internetit (https://grupaoktobar.org/teams_tipars) rendiste një sërë personazhesh të rëndësishëm serbë që, sipas kësaj faqeje dhe analizës së përfitimeve, mund të jenë në listpagesat e Kremlinit për të destabilizuar Ballkanin dhe për të propaganduar idetë imperialiste ruse në Ballkanin e brishtë me ndasi të forta etnike.
Për shembull, propaganda ruse në Shqipëri kumbon nëpër portale të shumtë duke linçuar myslimanët, duke i thurur lavde Kremlinit për luftën në Ukrainë, si propagandë anti-amerikane, dhe përkthim pa filtra i mediumeve serbe në shqip.
Një nga tezat që ka ardhur që në krye të herës nga propaganda ruse në Ballkan është defaktorizimi i shqiptarëve ngaqë kanë shumicë myslimane. Një propagandë e këtillë është përhapur nga linja filogreke në Shqipëri, po ashtu edhe nga filoserbët e Tiranës.
Sa i përket krimit të organizuar, ai është kthyer në problem në veri të Kosovës, por pa lënë mbrapa edhe Shqipërinë, ku nuk dihet ku fillon krimi, korrupsioni qeveritar dhe pleksja e tyre me agjenturat jomiqësore.
Nuk ka të dhëna nëse ka fije ruse në krimin e organizuar shqiptar, por dimë se ka fije ruse në krimin e organizuar malazez, maqedonas, boshnjak dhe serb.
A kemi mbetur ne të paprekur?
Sipas ekspertëve të fushës, gjatë 20 viteve të fundit, roli i krimit të organizuar rus në Evropë është zhvendosur ndjeshëm nga rruga. Sot, sipas ekspertëve të sigurisë, kriminelët rusë veprojnë më pak në rrugë dhe më shumë në hije: si aleatë, lehtësues dhe furnizues për bandat lokale evropiane dhe rrjetet kriminale në mbarë kontinentin.
Shteti rus është shumë i kriminalizuar dhe ndërthurja e ‘nëntokës’ kriminale dhe ‘botës së sipërme politike” e ka bërë regjimin të përdorë herë pas here kriminelët si instrumente të sundimit të tij.
Grupet e krimit të organizuar me bazë në Rusi, nëpër Evropë janë përdorur për një sërë qëllimesh, duke përfshirë pastrimin e parave, për të nisur sulme kibernetike, për të ushtruar ndikim politik, për të trafikuar njerëz dhe mallra, madje edhe për të kryer atentate në emër të Kremlinit.
Sipas ekspertëve, shtetet dhe institucionet evropiane duhet ta konsiderojnë krimin e organizuar rus si problem sigurie po aq sa edhe problem të kriminalitetit, ndërsa të miratojnë masa për ta luftuar atë, duke përfshirë përqendrimin në shënjestrimin e aseteve të tyre, ndarjen e informacionit ndërmjet agjencive të sigurisë dhe zbatimit të ligjit, si dhe hetimet të thelluara për ndikimin e parasë së pisët të tyre.
Vite më parë, Shërbimi Çek i Sigurisë vuri në dukje në Raportin e tij vjetor se “kontaktet e oficerëve të shërbimeve të inteligjencës ruse me persona, e kaluara e të cilëve është e lidhur me strukturat e organizuara kriminale është disi shqetësuese”.
Në shtator 2014, oficeri i Estonisë, Eston Kohver ishte gati të takonte një informator, kur një skuadër rrëmbyese e FSB-së kaloi kufirin dhe e rrëmbeu atë me forcë. Ai u dënua me akuza të rreme për spiunazh dhe më pas u shkëmbye për një agjent rus. Arsyeja kryesore për rrëmbimin ishte që të prishej hetimi i Kohver-it për trafikun e paligjshëm ndërkufitar të cigareve. Provat sugjerojnë se FSB-ja po lehtësonte aktivitetin e kontrabandës së mafiozëve rusë.
Në shkurt të vitit 2017, tre Autoritete Mbikëqyrëse Evropiane – Autoriteti Bankar Evropian, Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve dhe Autoriteti Evropian i Letrave me Vlerë – nxorrën një Opinion të përbashkët për Komisionin Evropian duke paralajmëruar se duhej të rritej niveli i vigjilencës së BE-së kundër pastrimit të parave nga kriminelët dhe organizatat terroriste. Autoritete përmendin Letoninë si vend që ka sasi të mëdha parash të krimit të organizuar rus, si dhe afër nesh është Qiproja, që ka fituar reputacion si qendër e favorizuar për pastrimin e parave për krimin e organizuar.
Krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk duhen toleruar në asnjë rast, lëre më pas kur flasim për agjentura jomiqësore që destabilziojnë vendin dhe rajonin.