Kishat e BE-së synojmë zhvillimin e gjithanshëm të njeriut dhe arsimin cilësor

Në një dokument, që u paraqit sot (13 janar) para Komisionit Evropian, Konferencat Ipeshkvnore të BE-së, shoqatat e familjeve katolike dhe Don Bosco International kërkojnë përmirësimin e aftësive, të rikualifikimit dhe të formimit të njeriut, i cili duhet të jetë në qendër të procesit edukativ. Ata i referohen Paktit Global për Edukimin, dashur nga Papa Françesku që edukimi të sjellë vëllazërim, paqe dhe drejtësi

R.SH. – Vatikan

Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE), Federata e Shoqatave të Familjeve Katolike në Evropë (FAFCE) dhe Don Bosco International (DBI), në rolin e tyre si partnerë të institucioneve të BE-së, paraqitën sot (e premte, 13 janar) kontributin e tyre para Komisionit Evropian për Vitin Evropian kushtuar Kompetencave 2023. Në dokument i kërkohet Komisionit Evropian të punojë për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut, sidomos përmes arsimit dhe formimit cilësor. Meqenëse edukimi e shoqëron çdo qenie njerëzore në zhvillimin e tij të plotë, kur bëhet fjalë për kompetenca dhe aftësim, ka rëndësi që njeriu të jetë në qendër të përparimit arsimor, për shkak të dinjitetit, unicitetit dhe talentit të tij, thuhet në tekstin, që i referohet Paktit Global për Edukimin, dashur nga Papa Françesku, “për të sjellë ndryshime në shkallë planetare, në mënyrë që edukimi të krijojë vëllazërim, paqe dhe drejtësi”.

Të promovohet zhvillimi i gjithanshëm njerëzor

Për Comece, Fafce dhe Dbi, Bashkimi Evropian duhet të bëjë ç’është e mundur që punësimi i të rinjve të shoqërohet me promovimin e zhvillimit të tyre të gjithanshëm njerëzor, thelbësor për të pasur qytetarë të matur, me dinjitet në çdo profesion. Për këtë arsye, në kuadër të Vitit Evropian të Aftësive, theksohet se në fushën e edukimit, formimi teknik dhe sistemi i kompetencave duhet të plotësojnë njëri-tjetrin. Vëtëm kështu mund të jenë forca në favor të vëllazërimit, paqes dhe drejtësisë në nivel global. Rol të rëndësishëm në këtë proces kanë edhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat mendojnë për më të mënjanuarit, ata, që pësojnë pabarazitë më të mëdha shoqërore dhe diskriminime.

Politikat e nevojshme demografike dhe pajtueshmëria familje-punë

Por duhet pasur parasysh se në BE kriza demografike, sfida edukative dhe kriza e migracionit ndikojnë fuqimisht në procesin e krijimit të kompetencave. Popullsia e Evropës po plaket në mënyrë drastike. Deri në vitin 2070, 30.3% e saj pritet të ketë së paku 65 vjeç. Kjo do të thotë se fuqia punëtore do të zvogëlohet në krahasim me numrin e të moshuarve, pa mundur të paguajë më pensionet e tyre. Emigracioni mund ta kompensojnë vetëm pjesërisht rënien e popullsisë e duhet pasur parasysh se sidomos ikja e trurit nga vendet e origjinës së emigrantëve e dëmton përparimin e tyre ekonomik. Prandaj Comece, Fafce dhe Dbi sugjerojnë investime në politika demografike, që e ndihmojnë familjen, sidomos raportin ndërmjet punës e familjes.

Rëndësia e trajtimit të gjithanshëm të formimit

Në dokument përmenden pasojat afatgjata të pandemisë Covid-19, treguesit në rritje të varfërisë dhe vonesat në rezultatet e studentëve. Nënvizohet se sektori i sektori i arsimit duhet t’u përshtatet nevojave të studentëve dhe se Viti Evropian i Kompetencave duhet të përqendrohet në lidhjen ndërmjet sistemeve të arsimit dhe mësimdhënies, që i krijon kompetencat e kërkuara nga koha aktuale. Zhvillimet aktuale shoqërore dhe ekonomike dëshmojnë për nevojën e një ndryshimi në paradigmën tradicionale shkollë-punë-pension. Comece, Fafce dhe Dbi besojnë se trajtimi gjithëpërfshirës, sipas të cilit mësimi gjatë gjithë jetës, objektivi arsimor i përgatitjes për punësim dhe zhvillimi ekonomik janë të lidhur me zhvillimin personal, përfaqëson një element kyç, jo vetëm për realizimin personal të individit, por edhe për zhvillimin e një shoqërie të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.

Formim që të tregohet respekt për të tjerët

Comece, Fafce dhe Dbi nënvizojnë rëndësinë që çdo indiv të mësojë si t’i respektojë të tjerët në shoqërinë sotme shumëkulturore. Bashkimi Evropian, sipas organizatave të Kishës, duhet të mendojë për studentët e të gjitha grupmoshave, duke përforcuar mundësitë e punësimit edhe pas përfundimit të shkollës së mesme, sidomos asaj profesionale. Kërkohet edhe përmirësimi i formimit dixhital, i programeve që ofrojnë njohuri konkrete, të përshtatshme për të gjitha aftësitë fizike e mendore. Plani i veprimit për arsimin dixhital, paralajmëron dokumenti, duhet të nxjerrë në pah rreziqet e përdorimit të tepërt të internetit për shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve: privimi i gjumit, hiperaktiviteti, zhvillimi më i dobët i trurit, rezultate më të këqija akademike, mungesa e shoqërimit me të tjerët, si edhe rreziku i abuzimit seksual.

Formim i përhershëm edhe për ata, që marrin leje prindërore

Dokumenti drejtuar Komisionit Evropian bën thirrje që ata, të cilët marrin leje prindërore të përfitojnë nga formimi i përhershëm. Për prindërit, veçanërisht nënat, që dalin nga puna, sidomos kur kanë fëmijë të vegjël, kërkohet rikualifikim për të mbështetur rikthimin në tregun e punës. Ndërsa për të rinjtë, që përpiqen të hyjnë në tregun e punës, nevojiten përvoja fillestare profesionale me pagesë, si për shembull, stazhet, të cilat zakonisht bëhen pa i paguar ata. Jepen si shembull pozitiv Qendrat saleziane të Formimit Profesional: në 19 vende evropiane, ka 196 prej tyre, të frekuentuara nga më se 62.000 studentë (90% e tyre të rinj pa shumë jete financiare), që arsimohen piëkrisht me këtë qasje të gjithanshme në sektorët kryesorë ekonomikë. Përmenden edhe programet e shkëmbimit ndërmjet Evropës dhe Afrikës.

Latest articles

Related articles