Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar në muajin dhjetor për gjykim 9 procedime penale me 90 të pandehur.
Në një njoftim për shtyp, SPAK publikoi disa tregues statistikorë të punës për muajin dhjetor 2022.
“Janë paraqitur 8 kallëzime penale, nga të cilat për 5 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve. Janë regjistruar 7 procedime penale, nga të cilët 2 procedime për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 5 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Janë dërguar për gjykim 9 procedime penale me 90 persona të pandehur, nga të cilët, 2 procedime me 40 persona të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 7 procedime me 50 persona të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin”, thuhet në njoftim.
Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, bëhet e ditur se janë miratuar nga Gjykata e Posaçme masa sigurimi personal ndaj 2 personave nën hetim.
Po ashtu, pas kërkesave përfundimtare të prokurorëve të posaçëm, janë dhënë nga Gjykata e Posaçme 4 vendime themeli, janë deklaruar fajtorë 21 persona të pandehur.
Në kuadër të ligjit antimafia, SPAK njofton se “janë dhënë nga gjykata 2 vendime sekuestrimi sipas të cilëve janë sekuestruar: 12 pasuri të paluajtshme; 4 pasuri të luajtshme; 5 subjekte tregtare.
“Janë ekzekutuar gjithsej 4 vendime penale të formës së prerë; nga këto, 1 vendim ka marrë formë të prerë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe 3 në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për 12 të dënuar. Janë vënë në ekzekutim 2 letërporosi ardhur nga autoritetet e huaja të drejtësisë, si dhe janë dërguar 6 letërporosi për ekzekutim pranë autoriteteve të huaja”, thuhet më tej në njoftim.
SPAK njofton se ka shpallur në kërkim ndërkombëtar 6 shtetas shqiptarë si dhe janë transmetuar pranë autoriteteve të huaja 4 kërkesa për ekstradimin nga jashtë në Shqipëri të shtetasve shqiptarë.
“Sa i përket skuadrave të përbashkëta hetimore në kuadër të procedimeve penale në hetim janë mbajtur 5 takime koordinuese me autoritetet e huaja, palë në këto marrëveshje nga të cilat 1 takim është zhvilluar jashtë vendit dhe 4 takime janë zhvilluar nëpërmjet video-konferencës. U është kthyer përgjigje e plotë 23 kërkesave zyrtare për informacion ardhur nga media dhe shtetas shqiptarë”, thuhet në njoftim