Nuk ka asnjë habi që njerëzit që ndjekin Sali Berishën në verbëri absolute sot janë kthyer në tifozë të deputetit Salianji. Kjo tifozeri nuk vjen vetëm nga bashkësikleti që Doktori dhe Salianji kanë por më shumë nga urdhëri që ata kanë marë prej Sali Berishës për të qenë me deputetin rebel. Aq i madh është ndikimi saqë edhe media të përbetuara kundër deputetit rebel janë kthyer në pëllubat e paqes duke lëvduar lëvizjen e tij.
E gjithë kjo mizanskenë dëshmon kotësinë e luftës së tyre, salikratëve, të cilët një vit më parë ishin të gatshëm ta varnin Ervin Salianjin në turrën e druve përpara syve të Doktor Berishës ndërsa sot janë gati t’i ngrenë një përmendore. Kjo mendësi, që është ajo e skllevërve, ka qenë shtrati mbi të cilin ka jetuar Sali Berisha për 3 dekada politikë. Në vitin 2005, pasi kishte hipur mbi tankun e 1997 Arben Imamin, do të ishte po Sali Berisha që do ta përqafonte dhe do ta ftonte të ishte Shefi i Kabinetit. Demokratët e kishin harruar.
Me këtë strategji mund të mendojmë që Sali Berisha është i gatshëm që të falë mbase dhe Lulzim Bashën dhe salikratët e tij do ta mirëpresin atë me dashurinë e parë duke harruar shitjet e tij tek Rama. Kjo trushplarje ka funksionuar si mos më mirë.
Myslym Murrizi, deputeti që pranoi të mbante në jetë parlamentin e krimit (siç shprehej Berisha) dhe që votoi në verën e 2020 ndryshimet kushtetuese që i dhanë 5 mandate ekstra Edi Ramës është sot anëtar i Këshillit Kombëtar të Foltores. Ai flet sot nga televizioni sikur të mos ketë qenë i njëjti që ka folur vite më parë për hallin që ka Sali Berisha me drejtësinë.
Rudina Hajdari, deputete e listës së PD ka qenë gjithashtu votuese e ndryshimeve kushtetuese të kodit elektoral madje ka qenë një nga ata deputete që ka votuar dhe për Arta Vorpsin në krye të Gjykatës Kushtetuese, një akt i konsideruar anti-kushtetues. Edhe kjo sot është një figurë e çmuar e Foltores ndërsa Berisha e konsideron vlerë të madhe në PD-në e tij.
Jozefina Topalli është ajo figurë e dobët politike që sipas Sali Berishës së verës 2017 gaboi duke dalë kundër partisë së saj në fushatë elektorale. Në verën e vitit 2017, Jozefina Topalli dhe Arben Imami i bën thirrje demokratëve të mos votojnë PD-në. Po njësoj, Topalli, i bëri thirrje po demokratëve të mos votojnë PD-në edhe në 25 prill 2021. Sot, ajo gëzon dashurinë e njeriut të vetëm që ka dashur në jetë Sali Berishës.
Këto tre figura janë shembuj të plotë të keqtrajtimit që Berisha u bën ndjekësve të tij. Tre figura që kanë dalë dhe kanë kryer akte kundër PD-së më shumë se sa Edi Rama, kanë votuar ligjet që i bien në qafë PD-së, kanë kërkuar që kjo forcë politike të mos votohet në zgjedhjet e 2017 dhe 2021. Megjithë këto pabesi, ata sot konsiderohen si zëri i demokratëve dhe demokracisë.
Pse?
Ngaqë i kanë dalë në krah Sali Berishës që sot më shumë se kurrë ka frikë nga dosja e Gërdecit, dosja PRivatizimit të Klubit Partizani dhe dosja CEZ-DIA.
Ata bilbiosin marrëzi nga televizionet duke u tallur dhe përqeshur demokratët pasi janë nën bekimin absolut të kllounit që po shkatërron PD-në për të shpëtuar familjen e tij politike dhe jo vetëm. Prandaj dhe fyejnë pa teklif nëpër media, fyejnë sepse e dinë që salikratët do të gëlltisin gjithçka që iu thuhet. Kjo edhe për pak. SPAK ka nisur punën, Gërdeci është rihapur dhe Shqipëria pritet të ketë një tërmet që do të zbulojë me gjasë edhe hipokrizinë e Sali Berishës dhe familjes së tij nongrata. Çështje kohe që edhe salikratëve t’u hapen sytë.