Ditën e sotme një dalje publike e kryetarit të KQZ, Ilirjan Celibashi, zbuloi një të fshehtë publike; Institucioni më i lartë i zgjedhjeve njeh për kryetar të Partisë Demokratike atë që gjykata njeh për kryetar të PD. Ironikisht, me gjithë Zhukri vendimin në xhep, Sali Berisha nuk njihet nga gjykata si kryetari i PD-së, kjo e fundit njeh Lulzim Bashën. Do jetë ky ai i cili duhet të firmosë një të deleguar për të përzgjedhur le të themi kandidatët dhe numëruesit në procesin e zgjedhjeve.
Imagjinoni pak ato dhjetra opinionistë, gazetarë, media dhe televizioni që për thuajse një vit kanë shkruar se kryetari i Partisë Demokratike është Sali Berisha si do ishin ndjerë sot?! Të poshtëruar? Të turpëruar? Aspak! Injoranca për to është bekim, jo injoranca e tyre, por injoranca që duan të lënë ndjekësit e tyre.
Me këtë ndodhi, një vit e gjysmë betejë e Berishës dhe vullnetarëve të tij është zhbërë në hiçgjë. Doktori ka rezultuar në një Don Kishot që lufton për Dylqninën që nuk do ta ketë kurrë. Lufta e tij e paepur është ajo e marrjes së PD peng, me çdokusht pasi siç edhe e dimë gjyqi kundër Gërdecit shumë shpejt do të japë efekte dhe atij i duhet kjo forcë politike për të mbrojtur veten e tij.
Për këtë plan të shkretë dhe pa moral as politik dhe as njerëzor, Berisha po përdor çdo mjet në dispozicion. Ka urdhëruar ndjekësit e tij të verbër që të mbështesin në çdo mënyrë Ervin Salianjin, një deputet që një vit më parë Berisha dhe të tijtë donin ta shqyenin për ngjarjet e 8 janarit. Një deputet që jetën e tij politike e nisi në epokën e Lulzim Bashës që e emëroi atë avokatin e qytetit të Tiranës, një post që pak para Salianjit e kishte pasur Altin Goxhaj.
Arsyeja se përse Salianji mendohet të kryejë gjithë këto veprime prej kamikazi lidhen me një çështje gjyqësore që ai ka pas disa ditësh. Një njeri i mençur, do të kishte mësuar diçka nga gabimet që edhe mund të kenë ndodhur në atë çështje. Në shqip thuhet që rrugës shkurt mos i bjer pasi ajo të del për gjatë. Kështu, për herën e parë deputeti Salianji zgjodhi rrugën e shkurtër dhe përfundoi në dyert e gjykatës, kësaj radhe pa mësuar ende mirë mësimin e parë po rizgjedh rrugën e shkurtër. Historia përsërit veten e saj, herë si tragjedi e më tej si komedi.
Ata deputetë që sot i janë përgjigjur Salianjit, nuk e kemi fjalën për Foltoren, po tregojnë moskoherencë dhe pandershmëri me veten por mbi të gjitha mungesë nuhatje politike. Duke e ditur fare mirë të ardhmen e grupit, duke e kuptuar që edhe kështjella e fundit e gjoja vulës po bie ata kanë vendosur të rreshtohen me deputetin Salianji. Të bindur që nuk do ta shpëtojnë dot atë nga sikleti ku ka rënë. Madje, duke mos u treguar aspak miq të mirë, pasi do ta kishin këshilluar të vepronte ndryshe.
Berisha, i vetmi që mendon të korrë ndonjë fitore të vogël, i duhet të presë në ankth përfundimin e një dhjetëditëshi që do të vendosë përfundimisht për çështjen e vërtetë të këtij fillim janari, Gërdecin. Kjo çështje, nuk duhet të na shfokusojë nga ngjarjet e vërteta që priten t’i japin një fytyrë tjetër Shqipërisë dhe ngjarjeve në të.
Derisa ngjarjet e vërteta të ndodhin, shqiptarët do vazhdojnë të shohin ngjarjet e shpifura që dy të dëshpëruar kanë vendosur t’i japin shqiptarëve në gjestet e tyre të fundit të këtij teatri absurd. Sikundër edhe Celibashi zbuloi gënjeshtrën e Berishës edhe GJKKO do të zbulojë të vërtetën e akuzave që SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ngritur ndaj Berishës.