Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Mosmarrëveshjet Ndërshtetërore mbi Kufijtë Detarë

Nga Prof. Ermal Xhelilaj

Shtetet bregdetare, sikurse edhe rasti i Shqipërisë kundër Greqisë mbi kufijtë detarë, shpesh preferojnë të parashtrojnë mosmarrëveshjet e tyre para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND-së), një institucion i rëndësishëm gjyqësor, i përbërë nga gjykatës me përvojë të gjatë ligjore, të cilët përfaqësojnë sistemet më të mëdha ligjore të botës. Gjykatesit zgjidhen cdo nëntë vjet nga Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së mbështetur në Statutin e GJND-së. Disavantazhi kryesor i gjykimit të mosmarrëveshjeve ndërshtetërore nga GJND-ja në krahasim me arbitrazhin, është për arsye se ngarkesa e madhe e cështjeve gjyqësore ka bërë që vonesa në shqyrtimin e proceseve, të kthehet në një problem të rëndësishëm për palët. Po ashtu, palët në gjykim nuk mund të diktojnë procedurat gjatë procesit gjyqësor dhe nuk janë të lira të zgjedhin gjykatësin, sic mund të bëhet në rasin e arbitrazhit.

Pavarësisht kësaj, avantazhi i GJND-së qëndron në faktin se më shumë se 60 shtete të mbështetura në dispozitat ligjore të nenit 36(2) të Statutit të GJND-së, kanë pranuar juridiksionin e kësaj gjykate në mënyrë të përhershme për zgjidhjen e konflikteve ndërshteterore. Një rast i tillë paraqet Procesi gjyqësor Kufijtë Detarë dhe Tokësorë (Land and Maritime Boundary Case), ndërmjet Kamerunit dhe Nigerisë (1994), në të cilin të dy shtetet e përfshira në konflikt kanë pranuar juridiksionin dhe rrjedhimisht vendimet e GJND-së bazuar në nenin 36(2) të Statutit të saj. Pranimi i juridiksionit të GJND-së nuk mund të tërhiqet apo të anullohet kur padia kundër një shteti është duke u shqyrtuar në këtë gjykatë. Në këtë kontekst, pavarësisht së Franca kundërshtoi të bashkëpunonte me GJND-në gjatë Procesit të Provave Bërthamore (Nuclear Test Case) në vitin 1974, komuniteti ndërkombëtar dhe GJND-ja, ushtruan një presion të fuqishëm kundër këtij shteti, duke e detyruar atë të merrte në konsideratë zbatimin e të drejtës ndërkombëtare mbi cështjen në diskutim. Megjithatë, duhët te merret parasysh fakti se neni 36(2) nuk është i vetmi instrument ligjor me anën e të cilit një mosmarrëveshje ndërkombëtare mund të parashtrohet para GJND-së.

Në Procesin Rumania kundër Ukrainës, GJND-ja parashtroi metodologjinë e përdorur në ndarjen e kufijve detarë. Gjykata u shpreh se metodologjia e delimitimit përbëhet përgjithësisht nga tri etapa: 1) Përcaktimi i vijës kufitare të përkohshme bazuar mbi parimin e baraslargësisë të realizuar me metoda gjeometrikisht objektive; 2) Shqyrtimi nëse ekzistojnë apo jo faktorë modifikues për korrigjimin e vijës së përkohshme kufitare, dhe 3) Përcaktimi nëse vija përfundimtare kufitare ka sjellë një rezultat të drejtë dhe të paanshëm mbështetur në parimin e proporcionalitetit. Nën dritën e këtyre zhvillimeve, është e qartë se delimitimi i zonave dhe kufijve detarë konsiderohet një çështje komplekse dhe problematike. Rrjedhimisht, komuniteti ndërkombëtar dhe GJND-ja, pavarësisht përpjekjeve, e gjejnë të vështirë të gjenerojnë një parim të përgjithshëm për të gjitha rastet e proceseve të ndarjeve të kufijve detarë. UNCLOS-i parashtron vetëm qëllimin për arritjen e procesit të delimitimit të kufijve detarë, dhe nuk shprehet qartësisht rreth parimeve dhe metodave për arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm apo të paanshëm.

Megjithatë, e drejta ndërkombëtare zakonore e detit, e cila luan një rol themelor mbi delimitimin e kufijve detarë, promovon parimin sipas të cilit delimitimi duhet të jetë në përputhje me parimin e ndarjes së drejtë dhe të paanshme, duke marrë parasysh rrethanat e veçanta që mbizotërojnë. Parimi i ndarjes së drejtë e të paanshme nuk parashtron detyrime, por parashtron udhëzimet për arritjen e rezultateve të drejta dhe të paanshme për delimitimin. Një rregull apo metodë standarde delimitimi mund të mos jetë e zbatueshme në të gjitha rrethanat, pavarësisht realitetit gjeografik apo historik ose fakteve të tjera. Gjithsesi, është pranuar përgjithësisht se një ndarje kufitare, për të qenë e qëndrueshme dhe afatfgjatë, duhet të jetë e ndershme, e drejtë dhe e paanshme, dhe duhet të marrë në konsideratë rrethanat e veçanta që karakterizojnë zonën detare që është subjekt delimitimi.

Koncepti juridik i drejtësisë dhe paanshmërisë, i ushtruar veçanërisht gjatë procesit të përcaktimit dhe delimitimit të kufijve detarë midis shteteve të ndryshme bregdetare, mendohet të pasqyrojë statusin e parimit të përgjithshëm ligjor ndërkombëtar. Në praktikën juridike ndërkombëtare, ekzistojnë një numër i konsiderueshëm çështjesh ligjore, të cilat i referohen konceptit të drejtësisë e paanshmërisë si një parim moral me vlerë të madhe ligjore në sistemin ndërkombëtar. Në çështjen gjyqësore Holanda kundër Belgjikës (1937), lidhur me lumin Meuse, trupi gjykues u shpreh se parimet e barazisë dhe paanshmërisë mes shteteve konsiderohen tradicionalisht si pjesë përbërëse e të drejtës ndërkombëtare dhe zbatohen vazhdimisht nga gjykatat ndërkombëtare. Po ashtu, gjykata u shpreh se kur dy shtete zbatojnë parimin e rëndësishëm të barazisë dhe paanshmërisë dhe marrin përsipër detyrime reciproke, shteti i cili nuk i zbaton këto detyrime nuk duhet të lejohet të përfitojë mbi të drejtat e shtetit tjetër. Arsyetimi i gjykatës konkrete vazhdon më tej duke theksuar se parimi i barazisë mbështetet në nocionin moral “barazia është drejtësi”, pra pala e cila kërkon drejtësi duhet njëkohësisht të ofrojë drejtësi. Parimi i drejtësisë e paanshmërisë, i cili karakterizon vendimet e çështjes së mësipërme gjyqësore, përfaqëson dispozitën ligjore 38 (1c), dhe mendohet të jetë zbatuar nga GJND-ja dhe gjykata të tjera ndërkombëtare për procese të ngjashme gjyqësore, siç është konsideruar dhe çështja gjyqësore mbi mosmarrëveshjen kufitare detare midis Burkina Fasos dhe Malit në vitin 1986.

Gjatë Procesit mbi Juridiksionin e Zonave të Peshkimit (Mbretëria e Bashkuar kundër Islandës), GJND-ja kishte për qëllim arritjen e një zgjidhjeje ligjore të drejtë dhe të paanshme bazuar në norma juridike të zbatuara, duke arritur ta promovojë gjerësisht nocionin moral të barazisë. Gjykata në rastin e Mbretërisë së Bashkuar kundër Islandës (1974), u shpreh se në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e drejtë dhe e paanshme midis këtyre shteteve është e domosdoshme që të drejtat preferenciale të peshkimit të Islandës duhet të jenë të barazvlerësuara me të drejtat tradicionale të peshkimit të Britanisë së Madhe, duke marrë në konsideratë gjithashtu të drejtat e shteteve të tjera si dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe të gjalla të detit. Koncepti themelor i promovuar nga vendimet gjyqësore të GJND-së, qëndron në argumentin se nocioni i barazisë konsiderohet burim i të drejtës ndërkombëtare të detit në kuptimin e ndikueshmërisë që ushtron në drejtim të zbatimit të normave ligjore përkatëse të së drejtës ndërkombëtare. Si rrjedhojë, nocioni i mësipërm ligjor dhe njëkohësisht moral pasqyron një normë të barazisë dhe paanshmërisë, e cila përfaqëson një mënyrë interpretimi të normave juridike në fuqi dhe njërën prej tipareve specifike të tyre.

GJND-ja, gjatë shqyrtimit të çështjeve gjyqësore bazuar në dispozitën 38(2) të Statutit të saj është karakterizuar nga një balancë e ushtruar në respekt të mbështjetjes të parimit të barazisë (drejtësisë) nga njëra anë, dhe kompetencës për të marrë vendime të drejta dhe ndërgjegjshmërisht të pastra nga ana tjetër. Gjatë gjykimit të çështjes India kundër Pakistanit (1968), gjykata theksoi se paanshmëria nuk përfaqëson një koncept abstrakt, por vërteton zbatimin e normave të caktuara të së drejtës ndërkombëtare në respekt të parimit të drejtësisë dhe aryeshmërisë, pra koncepti i drejtësisë është pjesë e të drejtës ndërkombëtare, dhe si rrjedhojë palët duhet të mbështeteshin te koncepti konkret gjatë shqyrtimit të problematikave të tyre ligjore. Sipas kësaj gjykate, mbështetja te parimi i drejtësisë dhe paanshmërisë (barazisë) nënkupton marrjen e vendimit gjyqësor në përputhje me normat juridike ndërkombëtare të detit dhe jo jashtë kontekstit të tyre nisur nga kuptimi abstrakt i konceptit juridik të drejtësisë.

Në procesin gjyqësor të çështjes së Shelfit Kontinental të Detit të Veriut (1969), ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë, Danimarkës dhe Holandës, GJND-ja përcaktoi ndarjen përfundimtare të kufijve detarë pikërisht mbështetur në parimin e barazisë dhe të proporcionalitetit. Ndërsa në çështjen gjyqësore Afrika Jugore kundër Afrikës Perëndimore (1966,) GJND-ja me anë të raportit të gjyqtarit Tanaka, e karakterizoi parimin e barazisë dhe paanshmërisë si një prej burimeve kryesore të konceptit të përgjithshëm të të drejtave të njeriut. Karakteristika kryesore e pasqyruar gjatë shqyrtimit të këtyre çështjeve ligjore, është se gjykatat nuk kanë zbatuar parime abstrakte të natyrës juridike, por kanë përdorur nocionin thelbësor të parimit të barazisë dhe zgjidhjes së drejtë, të cilat i kanë rrënjët në legjislacionin përkatës të zbatueshëm për çështjet konkrete. Kjo filozofi juridike doli në pah gjatë procesit gjyqësor Malta kundër Libisë (1985), për përcaktimin e shelfit kontinental, në të cilën trupi gjykues u shpreh se drejtësia nga e cila ka prejardhur parimi i barazisë (drejtësisë) dhe paanshmërisë nuk është drejtësi abstrakte, por një drejtësi e mbështetur në norma ligjore ndërkombëtare.

Latest articles

Related articles