Skema Salianji, tentativa e rradhës e Berishës për të marrë peng PD


Nga Av. Besart Logu

Zhvillimet e fundit në grupin parlamentar të PD nuk duhen trajtuar si çështje emri, iku Alibeaj dhe erdhi Salianji, apo si çështje inatesh, pakënaqësish dhe mosfunksionimi të marrëdhënies personale të deputetëve me kreun e grupit të tyre.
Lëvizja e Ervin Salianjit shkon tej vullnetit tij personal dhe përmasave që ka si politikan. Gjatë intervistës me Elona Meçon, u shpreh se ka marrë përsipër të bashkojë grupin parlamentar. Në pamje të parë, duket si një lëvizje parimore që duhet mbështetur por para se të dalim në të tilla konkluzionesh, duhet marrë fillimisht në analizë kush po e merr përsipër ta bëjë këtë bashkim dhe pse.
Duhet thënë se; Ervin Salianji bën pjesë te ai grup deputetësh që njeh Berishën për kryetar të PD. Pra, zgjedhja e Salianjit kryetar grupi sjell pasoja politike të cilat shtrihen në të gjithë Partinë Demokratike dhe jo vetëm në grupin parlamentar. Kjo lëvizje, konkretizon planet e Berishës për të kapur partinë si dhe minon përpjekjet 2 vjeçare të demokratëve për të ringritur një PD pa Sali Berishën dhe larg berishizmit.
Pse po kërkohet ky bashkim? Duhet thënë gjithashtu se; në grupimin e rithemelimit ka deputetë të shpallur non grata, me probleme me ligjin, që i është refuzar viza amerikane, me lidhje të ngushtë me oligarkët dhe krimin e organizuar. Të gjithë këta elementë, e duan Partinë Demokratike si mburojë politike për ti shpëtuar veprimit të ligjit. E jo vetëm kjo, si pasojë e serisë së non gratava USA-UK, PD rrezikon të kthehet në një organizatë e izoluar ndërkombëtarisht.
Atëherë, për çfarë bashkimi flet Salianji e sidomos këta deputetë të dyzuar në qëndrime?! Kush e trajton këtë çështje si luftë emrash apo gare për kryetar të grupit parlamentar vetëm sa tallet me demokratët. Kjo është tentativa e rradhës e Berishës për të marrë peng PD.

Latest articles

Related articles