Goditet një tjetër grup në Lushnjë që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve

Policia arrestoi në flagrancë tre persona teksa qarkullonin me automjet me lëndën narkotike me vete, të ndara në doza të gatshme për shitje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, të mbështetura nga inteligjenca informative, për disa shtetas të cilët, të organizuar në formën e grupit, shisnin lëndë narkotike, në qytetin e Lushnjës, si dhe si rezultat i provave të siguruara nga hetimi i kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Lushnjës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “First step”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan shtetasit S. L.(S)., 28 vjeç, banues në fshatin Delisufaj, Lushnjë, V. M., 33 vjeç., banues në fshatin Toshkëz dhe E. H., 37 vjeç, banues në fshatin Gjazë, Lushnjë.

Këta shtetas u kapën në flagrancë, teksa qarkullonin me një automjet, me sasi lëndësh narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza, të gatshme për shitje. Nga provat e siguruara si rezultat i hetimeve, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtaritë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe të shitjes në doza, të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në qytetin e Lushnjës”.

Gjatë kontrolleve fizike të tyre, si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. L.(S)., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 kg lëndë narkotike kanabis, një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza, 71 fidanë narkotikë, 2 peshore elektronike dhe 3 aparate celulare.

Latest articles

Related articles