Bilal Kasami, kreu i Lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ishte i ftuar sot në “Zona Zero” me gazetarin Thimi Samarxhiu në Top News, ka folur në lidhje me refuzimin e ftesës së kryeministrit Edi Rama, për mbledhjen e të gjithë krerëve të partive maqedonase. Ai u shpreh se janë disa arsye që kanë sjellë këtë vendim.
“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë shumë të lodhur nga pushteti 20-vjeçar i BDI-së. Ata e vlerësojnë këtë takim si një tentim të shpëtojë edhe njëherë Aliahmeti dhe BDI.
Ne vlerësojmë se moment nuk është i përshtatshëm për shqiptarët e Maqedonisë, edhe nga shkaku se në një takim tjetër, të po këtij formati në Tiranë, i cili për hir të vërtetës nuk duhet të jetë i hapur për publikun, pasi ajo fotografi bëri jehonë shumë të madhe këtu dhe platforma nuk u jetësua kurrë edhe nga shkaku i rezistencës, që pati nga bashkëqytetarët tanë maqedonas. Pati edhe reagime nga partitë maqedonase, sepse u interpretua si një deklaratë të Tiranës, që nuk është në interes të Maqedonisë së Veriut apo në dëm të qytetarëve maqedonas.
Solli reagime edhe nga ndërkombëtarët, miqtë tanë, siç janë SHBA apo shtete europiane, dhe u interpretua në momente të caktuar si ndërhyrje e Tiranës zyrtare në politikën e brendshme maqedonase.
Ne menduam se kjo thirrje për mbledhje nuk duhet të ishte e hapur për opinionin”, u shpreh Kasami.