Partia Demokratike përmes një komunikimi publik ka deklaruar se për shkak të mos distancimit ndaj akteve të dhunës në seli, ka marrë vendim të formës së prerë largimi nga grupi parlamentar i PD i deputetëve: Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj, të cilët ishin të ngrirë 1 vit më parë. Arsyeja sipas një njoftimi të PD-së është se të katërt deputetëve ju ka mbaruar afati një vjeçar, për tu distancuar nga dhuna e ushtruar gjatë datës 8 janar 2022 në selinë e kësaj partie. Pritet që ky vendim të reflektohet edhe në Kuvendin e Shqipërisë.
Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjecar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj. Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar. Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023.