Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit dhe i mbështetur nga Forcat Speciale RENEA, është duke u zhvilluar në banesën e Ervis Martinajt në Surrel.
Mediat bëjnë me dije se disa furgonë dhe efektivë ndodhen në shtëpinë e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.
Bëhet me dije se kontrollet në shtëpinë e Martinajt po bëhen me urdhër të SPAK. Lajmin e ka bërë me dije gazetari Artan Hoxha, i cili shkruan se burime nga drejtuesit e aksionit në Surrel, kanë konfirmuar se veprimet po kryhen në kuadër të hetimit të SPAK, në lidhje me operacionin “Plumbi i artë”, i nisur pas dëshmive të bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Biznesmeni i basteve rezulton i zhdukur prej gushtit të vitit 2022 dhe nga mbrëmja e datës 9 për të nuk ka asnjë informacion. Ka pasur raportime se është vetë-zhdukur për t’ju shpëtuar kundërshtarëve, ndërsa vetë familjarët kanë akuzuar shtetin se ka dorë në vrasjen e 40 vjeçarit.
Nuk dihet se për çfarë kanë shkuar sot Forcat Speciale në shtëpinë e Martinaj, por pak ditë më parë, më 26 dhjetor policia ushtroi kontrolle në zonën e Fushë Kuqes, në shtëpinë e Martinajt.
Kontrolle pati jo vetëm në shtëpinë e të shumëkërkuarit, por edhe në banesat e familjarëve të tij.