Nga Sebastian Zonja
Javën e ardhshme mbërrin në Ballkan diplomati i lartë amerikan nga Departamenti i Shtetit, Derek Chollet.
Çfarë tha ai në intervistën e tij për “Zërin e Amerikës”:
1. Amerika i mbahet qëndrimit për njohje të ndërsjellë. “…energjia diplomatike duhej përqëndruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjellë”, tha Chollet
2. Mos guxoni të përshkallëzoni situatën me tensione në veri sepse nuk doni të uleni në tavolinën e bisedimeve. Është për të ardhur keq, kur e dimë se është Vuçiqi ai që shkakton tensione, diplomati amerikan vë në një vijë edhe Kurtin. Ai thotë në intervistën e tij: “…palët të bisedojnë për thelbin e propozimit të BE-së dhe jo të ndërmarrin masa vetëm për të përshkallëzuar apo potencialisht për të shkaktuar një krizë”.
3. Asosacionin e konsideron prioritet për amerikanët, ndërkohë që i thotë serbëve se marrja përsipër e angazhimit për Asosacion nga ana e Prishtinës ka një kusht edhe për Beogradin. Cili është ky kusht pritet ta marrim vesh në vijim. “Është qartësisht një hap kyç. Por ka shumë çështje të tjera. Të dyja palët këtu kanë detyrime. Të dyja palët kanë gjëra për të cilat ne do të donim t’i shihnim që të lëviznin përpara”, tha diplomati i lartë amerikan.
4. Sipas zyrtarit të lartë amerikan, nëse duan të shkojnë përpara, liderët e dy vendeve i presin vendime të vështira përpara, ndërsa vuri theksin te plani franko – gjerman i propozuar nga evropianët. “Do të dojë vendime të vështira dhe kurajo nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre”, tha Cholet.
5. Ai ja bëri të qartë Beogradit se e di mirë deri në ç’pikë janë të varur nga Rusia, por është në dorën e tyre nëse duan të shkojnë në BE, apo të rrinë të vetmuar në Ballkan me Rusinë aleate. Ky është një rast unik në diplomacinë shqiptare për ta shfrytëzuar dhe çuar përpara agjendën kombëtare shqiptare dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Vështirë se do të kemi një rast tjetër kur amerikanët t’ja fusin këmbët në një këpucë gjithë botës sa i përket qasjes ndaj hegjemonisë imperiale ruse. “Shumë vende në mbarë botën kanë sakrifikuar ekonomitë e tyre, gjendjen e ekonomive të tyre, për t’u siguruar që Rusia të mos shpërblehet për ato që po bën çdo ditë tashmë në Ukrainë”, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit.
6. A po vendoset në të njëjtën vijë prerja e fijeve të Beogradit me Rusinë, plani franko – gjerman dhe Asosacioni nga ana e amerikanëve? Kjo është pyetje që meriton vëmendje të veçantë. Nëse shqitparët arrijnë të shkëmbejnë asosacionin, pa cënuar kushtetutën, me njohjen, kjo është arritje e madhe. Por, edhe nëse arrijmë të shkëmbejmë Asosacionin me shkëputjen e fijeve që ka Rusia në Beograd, ky do të ishte një pazar i mirë gjithashtu. Rusia ka potencial të fortë destabilizues në Beograd, ndërkohë që Beogradi nuk ka po atë potencial destabilizues në Prishtinë. Një Serbi e destabilizuar nga “deepstate”-i rus është në dobinë tonë. Topi është në fushën e Kurtit si do ta luajë. Deri më tani nuk kemi parë ndonjë lëvizje që të na mahnisë, veç propagandën e zakonshme, të lodhshme dhe që s’ngjit më.
7. Diplomati amerikan kishte mesazhe edhe për Tiranën, veç Prishtinës.
Ai tha se flet me krerët e qeverive në Ballkan mbi shqetësimet për korrupsionin që ngrenë raportet e DASH-it. Gangrena e korrupsionit, sipas tij, po shpopullon Ballkanin. Lufta ndaj korrupsionit është prioritet i kësaj administrate, tha zyrtari amerikan. E gjithë përgjegjësia për shpopullimin e Shqipërisë dhe problemet e rënda me korrupsionin bie mbi qeverinë Rama. Zyrtari amerikan tha se këto janë pika që “ja tërheq veshin” vendeve në rajon. Për sa kohë që paralajmërimet për qeverinë Rama vijnë nga nivelet më të larta të qeverisë amerikane, pyetja është pse nuk i kapitalizon dot këto shqetësime opozita?
Përgjigjen besoj se e dimë të gjithë.
Rama dhe Berisha janë vëllezër binjak në krimin dhe korrupsionin e tridhjetë viteve të fundit. Të dy janë intrigantë të nivelit bizantin. Të dy e nisën karrierën në vitet ’90 duke sharë komunizmin. Të dy dolën nga dera e Ramizit – njëri nga blloku bolshevik i Ramizit, tjetri nga blloku i kardinalit të zi të KGB-së në Shqipëri, Sofo Lazri. Të dy janë të etur për pushtet deri në psikopati. Të dy i kanë bërë dëm Shqipërisë njëlloj. Ata mbajnë njëri – tjetrin në pushtet. Po ra njëri, bie tjetri. Njëri bllokon reformimin e Partisë Demokratike, tjetri të Partisë Socialiste. Me këta të dy nuk ka rrugëtim drejt Bashkimit Evropian. Ka pasurim tarafesh dhe largim masiv të shqiptarëve. Njëri shet detin, tjetri certifikon minoritetin grek në Himarë. Janë njësoj antikombëtarë. Janë njësoj hajdutë. Janë bijtë e regjimit më gjakatar në botë, sistemit tonë komunist. Janë bijtë shpirtërorëë të Ramizit dhe Sofos. Është Edi Rama dhe Ramë Berisha.