Ministri gjerman i Shëndetësisë Karl Lauterbach ka shprehur shqetësimin për variantin e ri të koronavirusit XBB.1.5, i zbuluar në tetor.
“Shpresojmë se do ta kalojmë dimrin përpara se një variant i tillë të përhapet edhe këtu”, shkroi Lauterbach në Twitter duke treguar për përhapjen e XBB.1.5 në verilindje të SHBA-së.
”Varianti ishte përgjegjës për një rritje të shtrimeve në spital në atë rajon”, tha ai.
“Ne po monitorojmë nëse dhe sa fort shfaqet XBB.1.5 në Gjermani”, shtoi ministri.
Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) vlerësojnë se XBB.1.5 përbënte rreth 40.5% të të gjitha infeksioneve të reja në SHBA në javën para fillimit të vitit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) gjithashtu tha të mërkurën se ishte e shqetësuar për variantin e ri.
”XBB.1.5, i zbuluar në tetor, është më lehtë i transmetueshëm se çdo variant i njohur më parë”, tha specialistja e OBSH-së për Covid-19, Maria van Kerkhove në Gjenevë.
Sipas analizave gjenetike të disponueshme të virusit, ai po përhapet kryesisht në SHBA dhe Evropë dhe tashmë është zbuluar në 29 vende.
Është një nëngrup i variantit Omicron, i cili ka qarkulluar që nga fundi i vitit 2021.
”Një analizë rreziku është duke u zhvilluar dhe do të publikohet së shpejti”, tha Van Kerkhove.