KLGJ skemë të re për ndarjen me short të çështjeve gjyqësore për të gjitha gjykatat e Shqipërisë

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka vendosur një skemë të re për ndarjen me short të çështjeve gjyqësore. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i kritereve dhe rregullave të hollësishme për ndarjen e çështjeve gjyqësore me short, në të gjitha nivelet e gjykatave në Republikën e Shqipërisë. Kurse rastet dhe kriteret e rindarjes së çështjeve me short, do të rregullohen me një akt të veçantë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Rtsh.al ka zbardhur dhe sjell në mënyrë të detajuar skemën mbi të cilën do të bëhet kjo ndarje në të cilën përfshihet sistemi elektronik, si do të hidhet shorti, ndarja e çështjeve, roli i kancelarëve, kodi unik etj.

Dokumenti nënvizon se ndarja e çështjeve gjyqësore me short realizohet mbi bazën e parimit të transparencës, informimit, kontrollit, mbikëqyrjes, gjurmimit, barazisë së shpërndarjes dhe objektivitetit.

Ndarja e çështjes me short elektronik dhe kodi unik i organizimit të shortit

Zhvillimi i shortit në njësi përpunimi dhe ruajtje kryhet nëpërmjet algoritmeve që vërtetojnë autenticitetin e shortit, integritetin e të dhënave, sigurinë dhe auditimin e tyre.

Sistemi i shortit përdor algoritme për autentifikimin e gjykatës që kërkon procesin e shortimit. Çdo gjykatë përdor “çelësa të ndarë” (shared key) për të gjeneruar kod unik të çastit (One Time Password).

Kjo procedurë synon garantimin e procedimit të mesazheve të dërguara vetëm nga gjykatat dhe çdo mesazh i tillë ka një autentifikimin të paimitueshëm në rast të gjurmimeve në rrjet (Man In The Middle Attacks).

Të dhënat e shortimeve ruhen të plota, në mënyrë historike, të lidhura në mënyrë unike të paimitueshme me mesazhet sekuenciale, duke bërë procesin e auditueshëm dhe të dhënat e pa modifikueshme.

“Sistemi elektronik i shortimit auditohet në mënyrë të automatizuar, nëpërmjet verifikimit të ekuivalencës së rezultatit të ruajtur lokalisht me atë në sistemin qendror dhe verifikimit të kodeve për të garantuar integritetin e bllokut të informacionit të ruajtur. Sistemi elektronik i shortimit prodhon raporte periodike të auditimit ose mbi bazë të kërkesave për auditim (gjurmim) nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ose Inspektori i Lartë i Drejtësisë”- thuhet në vendim.

Procedurat dhe rregullat e ndarjes së çështjeve me short

Çështjet gjyqësore, me paraqitjen në gjykatë, regjistrohen menjëherë në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve nga sekretaria gjyqësore, sipas kategorive të sistemit, nën mbikëqyrjen e kryesekretarit dhe kancelarit.

Kryetari i Gjykatës merr masa për organizmin e ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit elektronik, duke përcaktuar orën në të cilën realizohet procedura e shortit elektronik. Vendimi publikohet në faqen zyrtare të internetit të gjykatës.

Ndarja e çështjeve me short, si rregull, realizohet çdo ditë pune në rrugë elektronike me anë të sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore.

Në rast pamundësie të realizimit të shortit brenda ditës së punës, çështjet e regjistruara shortohen jo më vonë se dita e nesërme e punës.

Në short përfshihen të gjitha çështjet e regjistruara në sistemin e menaxhimit të çështjeve deri në momentin e orës së publikuar të shortit.

Procesi i shortimit për ndarjen e çështjeve realizohet në sallë gjykimi dhe shfaqet në kohë reale në monitorët e vendosur në ambientet e hyrjes së gjykatës për aq sa është e mundur.

“Raporti i shortimit është publik dhe pasqyrohet menjëherë në faqen zyrtare të internetit të gjykatës. Shorti elektronik cakton gjyqtarin e çështjes, i cili është kryetari i trupit gjykues ose gjyqtarin relator, në rastet kur çështja gjykohet me trup gjykues. Çështjet gjyqësore u ndahen në mënyrë të barabartë gjyqtarëve, sipas organizimit të brendshëm të gjykatës. Barazia në ndarjen e çështjeve nënkupton ndarjen në numër të barabartë mes gjyqtarëve të seksionit përkatës, të çështjeve të regjistruara për short, pavarësisht nga ngarkesa individuale e çdo gjyqtari në kohën e hedhjes së shortit.”- thuhet në vendimin e KLGJ-së.

Në çështjet penale me të mitur në konflikt me ligjin ose të mitur viktimë nga vepra penale, shorti për caktimin e gjyqtarit të çështjes, hidhet ndërmjet gjyqtarëve të seksionit përkatës. Në mungesë të këtij të fundit, shorti hidhet ndërmjet gjyqtarëve të caktuar për gjykimin e këtyre çështjeve penale.

Tërësia e veprimeve të shortimit në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve dokumentohet dhe vendoset në çdo rast në dosjen gjyqësore dhe bëhet pjesë përbërëse e saj.

Kancelari i gjykatës mbikëqyr procesin e shortimit dhe nënshkruan kalimin e praktikës së regjistrimit të çështjes, sipas formës standarde bashkëlidhur kësaj rregulloreje.

Ndarja e çështjeve gjyqësore me short pezullohet gjatë procesit të mbartjes së dosjeve, si dhe gjatë lejes vjetore në muajin gusht. Afati i pezullimit përcaktohet me vendim të arsyetuar të Kryetarit të Gjykatës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor publikon periodikisht manualin e përdorimit të sistemit të menaxhimit të çështjeve, përfshirë rubrikën e shortimit elektronik.

Përjashtimi i çështjeve gjyqësore nga shorti

Përjashtohen nga ndarja me short:

a) kërkesat për të cilat ligji parashikon afate shqyrtimi, jo më shumë se 72 orë për gjykatën e shkallës së parë dhe jo më shumë se 10 ditë për gjykatën e apelit, të cilat shqyrtohen nga gjyqtarët e listës së gatishmërisë,

b) kërkesat e paraqitura rishtazi, për të cilat ligji procedural parashikon shqyrtimin nga gjyqtari i hetimeve paraprake apo nga gjyqtari i seancës paraprake;

c) çështjet e caktuara me short, për të cilat është disponuar më parë nga gjykata me vendim jopërfundimtar, si edhe çdo vendim tjetër, që pa e zgjidhur çështjen në themel, i jep fund procesit gjyqësor të filluar sipas ligjit;

d) çështjet gjyqësore për të cilat është pranuar gjykimi i shkurtuar; e) çdo kërkesë apo çështje gjyqësore për të cilat ligji ka parashikuar shqyrtimin nga i njëjti trup gjykues.

“Kryesekretaria, nën mbikëqyrjen e kancelarit, kryen verifikimin paraprak të çështjeve të paraqitura, me qëllimin për të përjashtuar nga ndarja me short. Verifikimi paraprak kryhet bazuar në dokumentin e identifikimit, që i bashkëngjitet padisë apo kërkesës për gjykim nga pala apo përfaqësuesi i tij. Kur nga të dhënat paraprake evidentohet se çështja është e njëjtë, me atë për të cilën gjykata më parë ka disponuar në mënyrë jopërfundimtare, atëherë çështja kalohet automatikisht tek e njëjta trup gjykuese, nëpërmjet sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore. Në rastet kur çështja nuk mund të shqyrtohet nga i njëjti trup gjykues, ajo përfshihet në shortin elektronik të radhës.”- theksohet në dokument.

Përjashtimi i gjyqtarit nga shorti

Përjashtohet nga shorti gjyqtari, i cili ndodhet përpara njërës prej pengesave ligjore të tilla si:

a) gjyqtari që ka dhënë ose që ka marrë pjesë në dhënien e vendimit në një shkallë gjykimi përjashtohet nga shorti në shkallët e tjera;

b) gjyqtari që ka dhënë ose ka marrë pjesë në dhënien e vendimit përjashtohet nga shorti në rigjykim, përveçse kur është urdhëruar ndryshe nga një gjykatë më e lartë;

c) gjyqtari që ka shqyrtuar në themel kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake, përjashtohet nga shorti për të gjykuar kërkesat në seancë paraprake dhe kërkesat në gjykimin në themel të çështjes;

d) gjyqtari i seancës paraprake përjashtohet nga shorti për kërkesat në gjykimin në themel të çështjes, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.

Kryetari i Gjykatës, pas kërkesës së motivuar të gjyqtarit, mund të përjashtojë nga shorti pjesërisht apo tërësisht gjyqtarin, gjatë lejes së papaguar, me afat deri në 30 ditë. Në këto raste Kryetari i Gjykatës disponon me vendim të arsyetuar.

Kryetari i gjykatës përjashton gjyqtarin nga shorti, menjëherë me miratimin e dorëheqjes me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Kryetari i gjykatës, me vendim të arsyetuar, përjashton nga shorti gjyqtarin që mungon në detyrë për shkaqe të justifikuara, vetëm për ato çështje që lidhen me afate të ngutshme shqyrtimi. Në çdo rast shkaku i mungesës duhet të ketë lindur dhe t’i jetë bërë i ditur kryetarit para hedhjes së shortit.

Në rast nevoje të diktuar nga ngarkesa e pabarabartë e punës midis gjyqtarëve, kur mekanizmi i rindarjes së çështjeve nuk mund të realizohet, kryetari me vendim të arsyetuar, përjashton plotësisht ose pjesërisht gjyqtarin nga ndarja me short e çështjeve, deri në sigurimin për aq sa është e mundur, e një ngarkese pune të barabartë midis gjyqtarëve.

Kryetari i gjykatave të mëdha mund të marrë një ngarkesë pune, jo më pak se 50% të ngarkesës së çdo gjyqtari, ndërsa kryetari i gjykatave të një madhësie mesatare e atyre të vogla, një ngarkesë pune jo më pak se 75% të ngarkesës së punës së një gjyqtari.

Ndarja e çështjeve me short manual

Në rastin kur sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve nuk funksionin në mënyrë të dokumentuar, për më shumë se dy ditë pune, ndarja e çështjeve realizohet përmes shortit manual.

Ndarja e çështjeve me short manual realizohet nga Kancelari, nën mbikëqyrjen e kryetarit të Gjykatës, si dhe pjesëmarrjen e gjyqtarëve të gjykatës, pasi janë njoftuar paraprakisht për zhvillimin e shortit manual.

“Në çdo rast shorti manual i çështjeve kryhet duke respektuar parimin e transparencës, ndarjes së barabartë të çështjeve mes gjyqtarëve të së njëjtit seksion, si dhe caktimit rastësor të gjyqtarëve. Procedura e ndarjes së çështjeve me short manual dokumentohet në procesverbal dhe publikohet në faqen e internetit të gjykatës. Në çdo rast një kopje e procesverbalit të dokumentimit të procedurës së shortit manual bëhet pjesë e fashikullit të gjykimit”- thuhet në vendim, i cili tashmë ka marrë edhe fuqi ligjore.

Latest articles

Related articles