Çështja kombëtare ka nevojë për diasporë “Eliot Engel 2”

Nga Sebastian Zonja

Këtë të enjte, kreu i LDK-së në Kosovë, Lumir Abdixhiku, ngriti me të drejtë një shqetësim për sa i përket negociatave për njohjen e Kosovës. Ai thotë se ka një hap prapa nga deklarata e presidentit amerikan Joe Biden për marrëveshje me qendër njohjen, te plani franko – gjerman që po potencohet aktualisht, që, sipas shumë analistëve, nuk e parashikon njohjen e ndërsjellë. “Si arritëm deri këtu?”, pyet Abdixhiku. Sipas tij, për motive politike, fajin e ka Albin Kurti.
Sa faj ka qeveria Kurti në këtë mes? Sa faj ka diaspora shqiptare e paorganizuar? Sa faj ka keqqeverisja në Kosovë tash e dy dekada? Sa faj ka diplomacia e mefshtë e Tiranës? Sa herë ka kërkuar Tirana që Spanja dhe Greqia të njohë Kosovën?
Është me të vërtetë për të kërkuar llogari se çfarë po ndodh me dialogun në Bruksel?
Nëse në shkurt bëhet një vit nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë dhe presidenti Zelenskyy ka dakordësuar me shefin e Shtëpisë së Bardhë J. Biden një samit paqeje, sa gjasë ka që temë të jetë edhe Kosova?
Pse qeveria Kurti po e mban të fshehtë dialogun siç e mbanin qeveritë e tjera, gjë për të cilën ka hedhur akuza të forta?
Presidenti aktual amerikan J. Biden i përket një brezi politikanësh që kanë filluar të jenë aktivë qysh në vitet ´80, dhe i kanë ngjitur shkallët e karrierës hap pas hapi derisa sot është në Shtëpi të Bardhë. Bideni është njohës i mirë i problemeve në ish-Jugosllavi si dhe mendësisë së Luftës së Ftohtë. Administrata e tij është shumë e kujdesshme sa i përket politikave që vijnë nga Moska dhe marionetave të saj në Evropë e gjetkë.
Ndërsa në Amerikë ndërrohen brezat e politikanëve, ajo që ne kërkojmë si politikë dhe si diasporë është një “Eliot Engel 2”.
Kur ai u largua nga administrata amerikane, të gjithë politikanët shqiptarë, njëzëri, e përshëndetën kongresmenin për aktivitetin e tij pro shqiptarëve gjatë shërbimit në politikën amerikane. Sot, miku i madh i shqiptarëve nuk është më në zyrën e Kongresit amerikan.
Cilën figurë kanë shtyrë përpara shqiptarët, në Tiranë apo Prishtinë, për të zëvendësuar karrigen bosh të Engelit?
Pse është e nevojshme të mendojmë për një figurë të tillë?
Së pari, vlen të theksohet se brezi i politikanëve amerikanë që kanë dijeni të imtësishme për Luftën e Ftohtë është drejt fundit. Sot ka një fokus tjetër, Kina si fuqi hegjemone. Rusia shihet thjesht si një fuqi rajonale. Mbi këtë premisë, duhet që të fillojmë dhe të ndërtojmë strategji për të pasur lidhje me demokratët dhe republikanët e rinj. Ata që kishin dijeni të dorës së parë për Ballkanin sa po vijnë e po largohen nga politika ose nuk është në fokusin e tyre.
Së dyti, ka shumë shqiptarë profesionistë fushe, të pasur dhe me kontakte në SHBA. Nuk di të ketë ndonjë regjistër për ta, as në Prishtinë, as në Tiranë. Thjesht shohim që Edi Rama takon ndonjë shqiptar që i duhet për të hapur ndonjë derë në Uashington, Kurti po ashtu kur ka probleme, por në afatgjatë nuk duket gjësend në horizont.
Në Shqipëri, vend që duhej të kishte traditë të konsoliduar diplomatike, mungesën e vëmendjes duket se e kanë nga mefshtësia, për të mos thënë diçka tjetër. Sepse, kur e kuptojmë se lobimi grek apo serb ka shkuar shumë lart në administratë, duhet të jesh ca i leshtë nga trutë të mos investosh në lobim.
Madje, edhe atë që e kishim ministri Diaspore e mbyllëm. Arsyet i di qeveria.
Së treti, ndoshta edhe më e rëndësishmja, ideja e politikanëve shqiptarë ka qenë për t’i përçarë shqiptarët në Amerikë, jo për t’i shtyrë përpara. E përdori Enveri këtë teknikë për t’i përçarë dhe e vijuan edhe bijtë. Nëse gjatë komunizmit, ata në diasporë i bëri bashkë anti-komunizmi, sot që duhet t’i bëjë bashkë patriotizmi dhe bashkimi kombëtar, i bën bashkë e i ndan Rama apo Berisha.
Vijnë demokratët në pushtet, zgjedhin njerëzit e tyre nëpër organizata e shoqata. Vijnë socialistët, heqin ata, vendosin të vetët. Por, edhe nëse kjo çështje zgjidhet, del një problem tjetër – Lobimi bëhet me dollarë. Ndonjëherë me shumë dollarë.
Partitë shqiptare kanë dollarë boll për çdo lloj të huaji që endet nëpër Amerikë, veçse për shqiptarët që banojnë atje s’kanë.
Por, më shumë se e ka ndjenjën e shqiptarizmës vetë shqiptari, s’e ka i huaji, apo jo?
Ndaj, po t’i shohësh me kujdes kompanitë e lobimit që kontraktojnë partitë politike, janë të gjitha të huaja. Pak kohë më parë, kryeministri Rama ishte në Nju Jork në takim me një lobist shumë të rëndësishëm, priftin orthodoks grek Alexander Karloutsos. Dikur kishim Nolin e Konicën që Zogu i bëri bashkë në Uashington, sot kemi pasardhësin e vetëshpallur të Konicës që sillet si fëmijë kopil.
Sa i përket shqiptarëve të Kosovës, ka pasur raste kur janë përdorur korridore lobimi sllave për të shkuar në Uashington, siç Rama apo Berisha zgjedh të shkojë me anë të lobeve greke.
Ajo që ne vëmë re është se Eliot Engelin na e solli fati në derë të ishte pro kauzës së shqiptarëve, jo puna dhe mundi i politikanëve.
Politikanët shqiptarë, proshqiptarizmin e Engelit dhe të ngjashmëve me të, e duan duke financuar lobistë grekë e serbë. Edhe kaq sa është bërë, vlen të theksohet se e kanë bërë shqiptarët individualisht, duke hequr paratë nga fëmijët e tyre për kauzën kombëtare shqiptare, sepse, të ishte për strukturat tona shtetërore, më së shumti kanë prishur punë.
Për ta mbyllur, ka me qindra e mijëra shqiptarë që kanë mbaruar studimet në universitetet më prestigjoze amerikane. Ekspertiza e tyre është e nevojshme tani që duket se ka një ndryshim të skakierës gjeopolitike dhe lufta në Ukrainë cënon sigurinë evropiane drejtëpërdrejtë.
Profesionistë fushe e intelektualë largohen përditë nga Tirana, Shkupi e Prishtina. Shto çorganizimin e organizuar që kemi si vende, diku për shkak të politikës e diku për shkak të agjenturave, s’do të jetë e largët dita kur do t’i bëjmë dua amerikanëve të kthehen edhe një herë në pozicionet që kishin me luftën në Ukrainë.
Duke qenë se nuk e vlerësojmë ekspertizën profesionistëve dhe i lejojmë kaq thjesht të ikin, tregon se jemi shtete të propagandës dhe korrupsionit masiv.
Le të urojmë se shqiptarët do të jenë aq të mprehtë sa kanë qenë, e të veprojnë bashkërisht për të ndihmuar që pas 10 vjetësh të kemi edhe ne një zë në Kongres! Sytë i kemi nga Diaspora, të rinjtë e të rejat e suksesshme kudo në botë, se politikanët këtu i kanë kthyer ambasadat në studio fotografike, ku çdo gjë bëhet vetëm për disa foto me një zyrtar të çfarëdoshëm.

Latest articles

Related articles